Lajmet e fundit

U mbajt ceremonia e inaugurimit të Mamografit mobil

E Premte, 31.10.2014




Sot, në sheshin "Ibrahim Rugova" në Prishtinë, u mbajt ceremonia e inaugurimit solemn të Mamografit mobil, të organizuar nga Grupi i Grave Deputete.


Sigurimi kësaj pajisje shumë të rëndësishme për shëndetin e grave, ka qenë projekt i Grupit të Grave Deputete të Legjislaturës së IV-të të Kuvendit të Kosovës, kurse është përkrahur nga shumë donatorë vendës dhe ndërkombëtarë.

Pjesëmarrësve të këtij manifestimi me një fjalë rasti iu drejtuan deputetja Teuta Sahatqija, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jan Brathu, Nafije Latifi nga "Jeta Vita", si dhe ministri i Shëndetësisë Ferid Agani.

"Gratë politikane e mbajnë fjalën", tha fillimisht deputetja Teuta Sahatqija, duke shtuar se gratë deputete të legjislaturës së IV-të janë zotuar të bëjnë diçka për gratë e Kosovës, në mënyrë që të ndihmojnë për diagnostifikimin e hershëm të kancerit të gjirit, ndërkaq theksoi se kjo nuk ishte detyrë e lehtë.


"Burrat deputetë na dhanë përkrahjen morale, disa nga ta edhe atë materiale. Ambasadori norvegjez z. Jan Braathu dhe ambasadori holandez Robert Bosch u bënë partnerët tanë të parë në këtë projekt të cilët që në fillim siguruan bazament të fuqishëm financiar. Këtyre ambasadave iu bashkuan edhe Ambasada e Britanisë dhe ajo e Francës, Austrisë Turqisë etj", tha Sahatqija duke përmendur mes tjerash edhe KCSF-në, OSBE-në etj. Ajo tha se kanë kërkuar mjete edhe nga presidentja, kryetarët e komunave, dhe institiucione të ndryshme që funksionojnë në Kosovë.
Duke falënderuar të gjithë ata që mbështeten këtë projekt, Sahatqija tha se sa më shumë gra të ekzaminohen dhe të diagnostifikohen qysh në fillim, ka shpresa të mëdha për mbijetesë.


Sahatqija sqaroi se ky mamograf do të udhëtojë nëpër të gjitha komunat e Kosovë dhe vendet rurale për të dhënë mundësi të ekzaminimit të kësaj sëmundjeje.

Me këtë rast foli edhe Jan Braathu nga Ambasada Norvegjeze. Ai mes tjerash tha se kjo sëmundje në mbarë botën i prek në mënyrë të përgjithshme, 1 në 8 gra. Megjithatë, ai shtoi se shkalla e kësaj sëmundje është duke rënë, për arsye të metodave të mira rreth trajtimit apo detektimit të kësaj sëmundje në faza të hershme. Tutje, Braathu shtoi se gjatë muajve të ardhshëm ky mjet do të udhëtojë në të gjitha vendet për të bërë skanimin dhe ekzaminimin e kësaj sëmundje. Ndërsa, falënderoi të gjithë ata që i janë bashkuar realizimit të këtij projekti, me theks te veçante përmendi gratë parlamentare të legjislaturës së IV-të të Kuvendit të Kosovës për inicimin e këtij projekti.

Ndërsa, ish-kryeparlamentari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, fillimisht falënderoi gratë deputete të cilat kanë hyrë në politikë, jo për t'i shërbyer vetvetes, por për t'u shërbyer qytetarëve. Me këtë rast ai falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar rreth këtij projekti dhe tha se kjo aparaturë do të jetë në shërbim të të gjitha grave të Kosovës, të cilat do të ndihmohen në çdo cep të Kosovës.


"I inkurajoj të gjitha gratë deputete që të mos pushojnë së angazhuari dhe se punuari për të qenë në shërbim të qytetareve", tha Krasniqi.

Tutje foli edhe Nafije Latifi, e cila tha se nisma e para tetë vjetësh që gratë tona të kenë informatë dhe mundësi për kontrolla falas për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, që për fat të keq atakon një numër të madh të tyre, sot u bë realitet, falë vullnetit dhe angazhimit të GGD-së dhe donatorëve të shumtë.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, shprehu kënaqësinë e tij për pranimin e këtij donacioni si rezultat i punës së GGD-së, duke përmendur faktin se kjo është një ndihmë shumë e madhe për shërbimet shëndetësore të vendit. Agani sqaroi se gjatë vitit 2013, janë shënuar 224 raste të reja të kancerit të gjirit, duke shtuar se ky është një numër shumë i lartë dhe tejet shqetësues.


Ai tutje uroi që përmes kësaj paisje bashkëkohore do të jenë në gjendje t'i rrisin kapacitetet e tyre për parandalimin apo zbulimin e hershëm të kësaj sëmundje në të gjitha vendet e Kosovës dhe tha se do të bëjnë çmos që kjo paisje të jetë në funksion të grave, ndërkaq falënderoi të gjithë për mbështetjen e dhënë.

Në mënyrë solemne mamografia iu dorëzua ministrit të Shëndetësisë nga deputetja Sahatqija, ndërkaq, GGD-së së legjislaturës së IV-të, iu nda një mirënjohje nga MSH-ja.


Në kuadër të kësaj ceremonie, donatorëve iu ndanë fletë-falënderime.


Për blerjen e kësaj aparature kontribuuan ambasada suedeze, norvegjeze, MSH-ja si dhe 37 organizata të ndryshme.

Krejtësisht në fund u organizua edhe ecja tradicionale , në mbështetje të të prekurave nga kanceri i gjirit.

 

U mbajt ceremonia e inaugurimit të Mamografit mobilU mbajt ceremonia e inaugurimit të Mamografit mobil