Lajmet e fundit

U mbajt takimi sipas shkresës së 62 deputetëve

E Enjte, 09.10.2014




Deputetë nga radhët e LDK-së, Vetëvendosjes, AAK-së, Nismës për Kosovën dhe të disa komuniteteve pakicë joserbe, janë mbledhur sot në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit, në të cilën kanë debatuar lidhur me gjendjen aktuale në vend.

Gjatë këtij debati, të cilin e udhëhoqi ndihmëskryesuesja Teuta Rugova, deputetët kanë shprehur qëndrimet e tyre kundruall situatës së krijuar pas zgjedhjeve të 8 qershorit dhe kanë potencuar dëmet që, sipas tyre, po u shkaktohen vendit dhe qytetarëve nga kjo bllokadë politike.

Fillimisht, ndihmëskryesuesja Rugova, duke e arsyetuar thirrjen e, siç u shpreh ajo, të vazhdimit të seancës konstituive, me kërkesë të 62 deputetëve të Kuvendit, theksoi se në pajtim me pikën 127 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, është e drejtë dhe detyrë e të gjithë deputetëve të Kuvendit që të gjejnë mënyrën për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, në pajtim me dispozitat kushtetuese dhe rregulloren relevante të Kuvendit, si dhe ta bëjnë Kuvendin funksional.

Debatin e hapi deputetja nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani. Para deputetëve të pranishëm, ajo tha se shumica parlamentare, e cila përfaqëson vullnetin e shumicës së qytetarëve të Kosovës, është këtu për të ofruar propozimet e saj për të gjetur zgjidhje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ajo tha se zgjidhja për formimin e institucioneve është në këtë sallë plenare, e jo jashtë saj, sepse kjo zgjidhje, sipas saj, i takon vullnetit të lirë e jodetyrues të deputetëve, vullnet ky që duhet të shprehet nëpërmjet votës së lirë dhe pa presion kur të votohet për kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit.

"Ne i kemi bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pavarësisht cilën parti ata përfaqësojnë, që të jenë sot të pranishëm në këtë seancë për të bërë një debat konstruktiv e demokratik në mënyrë që të bëjmë hapat e parë drejt gjetjes së një zgjidhjeje që do të nxirrte vendin nga kjo bllokadë institucionale. Por, siç po e shohim edhe sot, pakica parlamentare ka për qëllim jo vetëm bllokimin e formimit të Kuvendit, por siç u dëshmua nga Raporti i Progresit të publikuar dje, me këtë parti, po bllokohet e tërë Kosova dhe rruga e saj drejt Bashkimit Evropian", theksoi deputetja Osmani, ndërsa tha shembullin letonez, kur tri parti opozitare ishin bërë bashkë dhe kishin krijuar qeverinë.

Deputetja Osmani tha se tani kemi një situatë të paqartë kushtetuese, si rezultat i një aktgjykimi i cili nuk sqaron se çka ndodhë nëse PDK-ja dështon vazhdimisht në propozimet e saj. Ajo tha se u takon deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të gjejnë zgjidhje.

"Unë nuk shoh zgjidhje tjetër pos asaj që do të ishte normale, e pritshme dhe demokratike në çdo vend që është normal e demokratik: pra, shumica të vendosë", tha deputetja Osmani.

Deputeti Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se deri tani është diskutuar mjaft shumë për Kuvendin, por jashtë tij, ndërsa tash po diskutohet brenda sallës së Kuvendit, aty ku duhet të diskutohet edhe për Kuvendin, por edhe për zhvillimet në Kosovë në përgjithësi.

Duke folur për gjendjen aktuale përkitazi me konstiuimin e institucioneve, ai tha se në njërën anë e kemi shumicën parlamentare e cila, sipas tij, e ka zgjidhjen, të drejtën por dhe mundësinë për ta zbatuar këtë zgjidhje, dhe në anën tjetër, pakicën, siç e quajti ai, bojkotuese dhe bllokuese të themelimit të institucioneve.

"Sot jemi para një situate ku vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit bojkotohet nga një pjesë e deputetëve. Këta bojkotues dhe këta bllokues natyrisht që janë barrikaduar dhe nuk do të lëvizin nga vendi. Por ne nuk bënë të lejojmë në asnjë mënyrë që institucionet e vendit dhe zhvillimet politike, ekonomike e sociale të vendit, të lihen peng të vullnetit të një pakice bojkotuese e bllokuese", theksoi Ymeri, ndërsa shtoi se është detyrë e deputetëve të Kuvendit që ta zhbllokojnë themelimin e institucioneve, në mënyrë që t'i lejohet Kosovës që të vazhdojë rrugëtimin e saj.

Duke shprehur qëndrimin e AAK-së, deputetja Donika Kadaj-Bujupi potencoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për të cilin tha se ka aq shumë dualizma interpretues, sa që, sipas saj, vështirëson jo vetëm zgjdhjen e kryetarit të Kuvendit, por edhe të nënkryetarit nga komunitetet pakicë. Ajo tha se nëse një shumice të bashkuar nuk i lejohet zbatimi i vullnetit të saj, kjo rregull, bazuar në këtë vendim, do të vlejë edhe per pakicat të cilët u bënë bashkë pas zgjedhjeve.

„Sot perballë nesh qëndrojnë mbi 436 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës, të cilët më 8 qershor votuan kundër kësaj gjendjeje, kundër këtyre veprimeve dhe pro një perspektive e cila do të realizonte ëndrrat e gjeneratave. Ata votuan për një fije shprese, e cila do të ofronte mundësi për ta dhe familjet e tyre. Andaj konkluzionet që dalin sot duhet të merren parasysh brenda pak ditësh, jo javë e muaj, sepse kemi pritur mjaft gjatë", theksoi deputetja Kadaj-Bujupi, ndërsa vlerësoi se tani duhet të vijë në shprehje vullneti i shumicës parlamentare, nëpërmjet zgjedhjes së kryetarit, konstituimit të organeve të tjera të Kuvendit dhe Qeverisë.

Deputetja nga radhët e Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami, tha se në këtë seancë do të duhej të ishin dhe të debatonin të gjithë deputetët e Kuvendit. Por, ajo tha se pakica mungon dhe kjo, sipas saj, do të thotë përbuzje e qytetarëve të Kosovës.

"Duhet ta kuptojmë se shumica duhet të vendosë. Pakica duhet të akomodohet në opozitë, t'i hapë rrugë shumicës për krijimin e institucioneve dhe të pajtohet me faktin se në një shtet demokratik duhet të vendosë shumica", theksoi Bajrami.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, u ndal te dëmi që sipas tij, po u shkakton kjo gjendje pjesëtarëve të komunitetit egjiptian në Kosovë. Ai tha se si pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike, qindra egjiptianë e kanë lëshuar Kosovën dhe ky trend po vazhdon. Berisha u bëri thirrje forcave politike shqiptare që të gjejnë një zgjidhje dhe institucionet të konstituohen sa më shpejt.

Debati vazhdoi me diskutimet e deputetëve: Arben Gashi, Albulena Haxhiu, Zafir Berisha, Nuredin Ibishi, Ismail Kurteshi, Blerim Grainca, Albin Kurti, Hykmete Bajrami, Alma Lama, Teuta Haxhiu, Teuta Sahatqija dhe Jakup Krasniqi. Në deklarimet e tyre, folësit u fokusuan veçanërisht në dëmet që po i shkaktohen ekonomisë së vendit si pasojë e kësaj bllokade dhe rrjedhimisht, vështirësimit të jetës së qytetarëve. Ndërkaq, një varg kritikash iu adresuan kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani presidentes së vendit, Atifete Jahjaga.

Pas diskutimeve, deputetja Vjosa Osmani lexoi tekstin e deklaratës së përbashkët të deputetëve të pranishëm, me këtë përmbajtje:

DEKLARATË

Ne, deputetët e Kuvendit të Republikës Kosovës që përfaqësojmë shumicën parlamentare dhe vullnetin e shumicës së qytetarëve të Republikës së Kosovës,
- Të shqetësuar me situatën politike në vend të krijuar nga bllokada institucionale e pakicës parlamentare, përfshirë ndërprerjen dhe shtyrjen arbitrare të seancave nga Kryesuesja e seancës, znj. Brovina, në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit;
- Duke kuptuar rëndësinë e formimit sa më të shpejtë të institucioneve që dalin nga zgjedhjet e 8 qershorit 2014;
- Të vetëdijshëm se bllokada institucionale e krijuar nga pakica parlamentare ka pasoja të drejtpërdrejta në mosfunksionimin e agjencive të pavarura të mbikëqyrura nga Kuvendi;
- Duke pasur parasysh praktikat më të mira evropiane rreth rolit të shumicës parlamentare në krijimin e institucioneve;
- Në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese i cili thekson se është e drejtë dhe detyrë e deputetëve të Kuvendit që të gjejnë zgjidhje për konstituimin e Kuvendit;
- Të vetëdijshëm për sfidat që e presin Kosovën dhe institucionet e saj, që u evidentuan edhe në Raportin e Progresit të publikuar me 9 tetor 2014;
- Duke ritheksuar se deputetët kanë mandat të lirë, jodetyrues dhe të pakushtëzuar dhe kanë obligim të përfaqësojnë interesat e qytetarëve të Kosovës;
- Duke kërkuar marrje të përgjegjësive nga institucionet përgjegjëse, që të jepen sqarimet e nevojshme kushtetuese për situatën e krijuar kur propozimi i PDK-së për Kryetar të Kuvendit nuk po e merr shumicën e nevojshme të votave të deputetëve të Kuvendit;
- Pas diskutimit të deputetëve rreth gjetjes së zgjidhjes për konstituimin e Kuvendit:
ANGAZHOHEMI PËR:
1. Konstituim sa më të shpejtë të Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që t'i hapet rruga krijimit të Qeverisë së re duke respektuar parimet themelore të demokracisë parlamentare;
2. Zgjidhje për konstituimin e Kuvendit, në përputhje me vullnetin e shumicës parlamentare e cila kërkohet në Kushtetutën e Kosovës për zgjedhjen e organeve të Kuvendit;

Prishtinë, 9 tetor 2014

 

U mbajt takimi sipas shkresës së 62 deputetëve U mbajt takimi sipas shkresës së 62 deputetëve U mbajt takimi sipas shkresës së 62 deputetëve U mbajt takimi sipas shkresës së 62 deputetëve