Lajmet e fundit

Nga takimi i kryesueses së seancës, Flora Brovina, me përfaqësuesit e partive politike

E Mërkure, 08.10.2014




Në takimin e sotëm konsultativ të kryesuese së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, znj. Flora Brovina, me përfaqësuesit e subjekteve politike në Kuvendin e Kosovës, arsyetimin e kërkesës së 62 deputetëve nënshkrues për vazhdimin e seancës konstituive , e ka prezantuar deputetja Vjosa Osmani, e cila ka thënë se flet në emër të deputetëve të bllokut LDK-VV-AAK -NISMA. Ajo ka theksuar se vazhdimi i seancës është thirrur duke pasur parasysh rëndësinë që ka konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhja e organeve të tjera të vendit, si dhe për shkak të dëmeve që i ka shkaktuar vendit ndërprerja kundërligjore e seancës dhe shtyrja e paarsyeshme e saj. Ajo ka kërkuar nga kryesuesja Brovina që për nesër të ftojë të gjithë deputetët dhe të kryesojë vazhdimin e seancës, duke u shprehur e bindur se do të zhvillohet debat i kulturuar parlamentar që do t'i kontribuojë zgjedhjes së kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit. Me të përfunduar fjalën e saj znj. Osmani e ka lënë takimin, duke pohuar se ka angazhime të tjera dhe se ka qenë e autorizuar vetëm për këtë që ka prezantuar.

Duke folur në emër të deputetëve të koalicionit parazgjedhor me PDK-në, Adem Grabovci ka theksuar se janë të qarta procedurat për thirrjen e seancës konstituive dhe se është i qartë gjithashtu edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të drejtën e propozimit të kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit. Ai e ka quajtur antikushtetuese dhe antiligjore thirrjen e vazhdimit të seancës nga 62 deputetët nënshkrues dhe ka paralajmëruar bojkotimin e saj nga deputetët që përfaqëson në takim.

Përfaqësuesi i Listës Serbe, Aleksandër Jabllanoviq, ka pohuar se nuk ka zgjidhje të problemit pa dialog dhe marrëveshjeve të partive politike shqiptare. Ai zotohet në emër të nëntë deputetëve të këtij subjekti se nuk do ta votojnë të propozuarin e bllokut derisa të vlejë marrëveshja e tij me VV-në, kurse PDK-së i premton votë nëse i siguron paraprakisht 52 të tjera.

Përfaqësuesit e subjekteve nga radhët e komuniteteve joshqiptare dhe joserbe ndjehen të anashkaluar. Përfaqësues të këtyre subjekteve. Mahir Yagcilar, Danush Ademi,Veton Berisha dhe Ethem Arifi, fajësojnë partitë shqiptare për krizën e shkaktuar, si dhe për nëpërkëmbjen që u bëjnë atyre të dyja palët rivale politike shqiptare.

Deputeti Nenad Rashiq, ndërkaq, e quan të domosdoshëm dialogun ndërmjet subjekteve politike, por vlerëson se debati në seancën konstituive të Kuvendit mund të dalë tragjiko-komik.

Jablanoviq ka paralajmëruar se do të ketë tratativa për krijimin e një grupi të vetëm parlamentar të subjekteve politike joshqiptare, kurse përfaqësuesit e partive të subjekteve pakicë, nuk e kanë hedhur poshtë këtë mundësi.

Në përfundim të takimit, duke e quajtur antikushtetuese dhe antiligjore thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive nga 62 deputetë nënshkrues, kryesuesja Brovina ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në këtë takim dhe nuk do ta drejtojë atë. Ajo, ndërkaq, është zotuar se do ta thërrasë vazhdimin e seancës sa po të jetë arritur një marrëveshje ndërmjet subjekteve politike që i jep rrugëzgjidhje krizës së konstituimit të Kuvendit.