Lajmet e fundit
Takim i deputetëve të LDK-ës, VVetëvendosjes, AAK-ës, dhe Nismës
E Enjte, 02.10.2014
Në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit të Kosovës, sot u mbajt një takim i deputetëve të LDK-ës, VVetëvendosjes, AAK-ës dhe Nismës. Me këtë rast deputetëve të pranishëm dhe përfaqësueseve të mediave iu drejtuan Isa Mustafa, Albin Kurti, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj. Në fjalët e tyre ata shprehën mospajtim me shtyrjen e vazhdimit të seancës dhe njëherësh u angazhuan për konstituimin sa më të shpejtë të Kuvendit të Kosovës dhe institucioneve tjera të Republikës së Kosovës.
Isa Mustafa në fillim të fjalës së tij theksoi: "Kemi ardhur këtu për vazhdimin e seancës, por për fat të keq është shtyrë seanca që dëshmon një sjellje të papranueshme për sistemin parlamentar, që njëherësh është abuzim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me Kushtetutën e Kosovës, sepse Kushtetuta nuk e ka autorizuar askënd që të veprojë kështu". Në vazhdim Isa Mustafa tha se takimi i sotëm nuk ka për qëllim mbajtjen e seancës, takimi është një shprehje e papajtueshmërisë së shumicës parlamentare me këtë sjellje. Ky takim shpreh zotimin se Kosovës i duhet parlamentarizmi, demokracia dhe sjellja ligjore. "Jemi këtu bashkë që të japim zotimin si LDK, VVetëvendosje, AAK dhe Nismë, se angazhohemi për reformë institucionale, mirëqenie sociale dhe të hapet perspektiva për të gjithë qytetarët, në të mirë të Kosovës , duke luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, tha z. Mustafa. Ai tha se fajin për mosmbajtjen e seancës së sotme e kanë ata që e bojkotuan dhe që kanë marrë vendime për shtyrjen e saj, pa përfillur mendimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Në vijim, Albin Kurti shprehu gjithashtu papajtueshmërinë me shtyrjen e vazhdueshme të seancës së Kuvendit, që kushtëzon pamundësinë e konstituimit të Legjislaturës së Pestë të Kuvendit të Kosovës. Në këtë mënyrë, tha ai, Kosova po lihet pa republikë. "Ne jemi këtu bashkë që Kosova të ketë të tashme dhe të ardhme, jemi dëshmitarë se seanca konstituive u ndërpre dhe pastaj u shty që të mos mbahet më. Pikërisht Parlamenti është vendi ku duhet të ndihet zëri i qytetarëve. Nuk duhet të lejojmë që të dështojë shteti dhe Republika e Kosovës", theksoi ai.
Në fjalën e tij, Ramush Haradinaj tha se deputetët, sipas përgjegjësisë dhe mandatit që kanë është dashur të preokupohen me sfidat që i presin qytetarët dhe vendin tonë. "Ne është dashur të dëshmojmë para qytetarëve situatë të re". Ndërkaq, duke folur për procedurën e mosmbajtjes së seancës konstituive ai tha se mënyra se si është bërë kjo, është një dëm i madh për demokracinë, për institucionet dhe për të arriturat e Kosovës, ndaj edhe jemi për ndryshime të mëdha", theksoi Ramush Haradinaj.
Kryetari i Nismës për Kosovën, deputeti Fatmir Limaj, tha se sot do të duhej të ishte një ditë ku sipas rregullës dhe procedurave, do të mbahej seanca e thirrur nga kryesuesja, pavarësisht rezultateve që do të vinin nga ajo seancë. Në sistemet demokratike dhe parlamentare, shtoi Limaj, është vullneti i shumicës së deputetëve ai që përcakton dhe vendos për një çështje të caktuar, pavarësisht i pëlqeu dikujt apo jo.
"Ne sot, si shumicë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kemi ardhur këtu, edhe pas njoftimit të mbrëmshëm për shtyrjen e seancës, për të treguar se është hera e dytë që bëhet shtyrja e seancës në mënyrë të paligjshme dhe të parregullt, duke shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit", theksoi Limaj, ndërsa shtoi se kërkesat për shtyrje të seancës janë më se normale, por, sipas tij, ato i paraqiten seancës plenare dhe pastaj seanca voton për ose kundër.
Folësit u angazhuan që vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit të mbahet nga mesi i javës së ardhshme.