Lajmet e fundit
Administrata e Kuvendit nuk i pengoi gazetarët
E Premte, 19.09.2014
Reagim
në shkrimet e numrit të sotëm të gazetës "Koha Ditore", me titull "Administrata e Kuvendit pengoi gazetarët" dhe "Deputetëve nuk u funksionuan telefonat"
Në numrin e sotëm të gazetës "Koha Ditore", në faqen 2, janë botuar dy shkrime të shkurtra, me tituj: "Administrata e Kuvendit pengoi gazetarët" dhe "Deputetëve nuk u funksionuan telefonat" që në mënyrë tendencioze tentojnë të implikojnë Administratën e Kuvendit.
Duke qenë shumë i interesuar që të krijojë kushte sa më të mira për përfaqësuesit e mediave të akredituar në Kuvendin e Kosovës, Kryesia me vendimin nr. 04-V-024 ka miratuar Rregulloren për rendin dhe qasjen e mediave dhe të publikut në punën e Kuvendit të Kosovës, e cila është fuqizuar me nënshkrimin e kryetarit të Kuvendit më 19 prill 2011.
Me këtë rregullore është siguruar koha për fotografim dhe xhirime televizive të seancave, kurse më vonë është lejuar edhe prania gjatë tërë kohës së xhiruesve të fotoreporterëve në platonë e sallës së Kuvendit, por nuk është paraparë që në plato të vendosen edhe gazetarët, për shkak të hapësirës së kufizuar. Për gazetarët është rezervuar ish-salla e bibliotekës së Kuvendit, në të cilën janë instaluar televizorë dhe ka kushte teknike për marrje të sinjalit audio dhe video të seancave.
Duke qenë se gjysma e hapësirës së platosë është e rezervuar për mysafirë të rëndësishëm, nga mekanizma vendorë dhe ndërkombëtarë, të interesuar të ndjekin punimet e seancave plenare të Kuvendit, Administrata e ka për detyrë të krijojë kushte komode dhe për ta. E vërteta është se ata pengohen shpeshherë nga xhiruesit dhe kameramanët e pranishëm në plato, kurse prania edhe e gazetarëve të shumtë do bënte të pamundur qëndrimin e tyre në atë hapësirë.
Është e vërtetë se në plato kanë qëndruar katër gazetarë, të cilët kanë refuzuar të kalojnë në sallën për gazetarë. Është e vërtetë gjithashtu që atyre u është tërhequr vëmendja se për këtë shkelje mund të sanksionohen me marrje të përkohshme të akreditimit në Kuvend, por nuk është e vërtetë se gazetarët janë trajtuar në mënyrë selektive, siç pretendon artikullshkruesi.
E vërteta është se Administrata e Kuvendit nuk i pengoi gazetarët por fakti që disa gazetarë thyen rregullat e Kuvendit dhe penguan mysafirët e Kuvendit, si dhe kolegët e tyre fotoreporterë dhe kameramanë. Redaktorët e tyre gjithsesi se do të njoftohen për shkeljet që kanë bërë punonjësit e tyre dhe do tu tërhiqet vëmendja se gazetarëve të tillë që pengojnë punën e legjislativit të vendit edhe mund t'iu merret akreditimi, nëse vazhdojnë të mos përfillin rregullat e Kuvendit.
Jemi shumë të bindur se Administrata e Kuvendit dhe punonjësit e saj edhe në vazhdimin e seancës konstituive më 18 shtator e kanë kryer punën e tyre, duke i zbatuar rregullat në fuqi. Gazetarët do të duhej ta dinin faktin se çdo plato metalike provizore ka kapacitet dhe qëndresë të kufizuar. Mund të merren me mend pasojat për jetën e deputetëve, të mysafirëve dhe të përfaqësuesve të mediave nëse platoja do të shembej për shkak të mbingarkesës.
Duke marrë shkas nga artikulli tjetër i gazetës "Koha Ditore", në të njëjtën faqe :"Deputetëve nuk u funksionuan telefonat", kam kërkuar përgjigje nga stafi profesional i Drejtorisë për teknologji informative, të cilët kanë deklaruar me përgjegjësi se gjatë ditës së djeshme (më 18.9.2014) në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, Drejtoria e TI-se nuk ka pasur asnjë paraqitje të ndonjë defekti të linjave telefonike dhe të internetit.
Tutje sqarohet se Interneti në sallën e Kuvendit të Kosovës ofrohet përmes rrjetit Wi/Fi. Dje gjatë kohës së seancës plenare, në sallë dhe rreth saj, për shkak të interesimit të madh të opinionit ka pasur shume më shumë përdorues të telefonave mobilë (mbi 500) me qasje në internet, se sa rëndom. Për këtë arsye rrjeti Wi/Fi edhe ka mundur të jetë i ngarkuar në ndonjë moment dhe ka pasur mundësi që të mos ketë internet për ndonjë periudhë të shkurtër.
Në emër të Administratës së Kuvendit të Kosovës,
Ismet Krasniqi, Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit