Lajmet e fundit
Vazhdimi i mbledhjes konstituive të Kuvendit
E Enjte, 18.09.2014
Kuvendi i Republikës së Kosovës, mbajti sot vazhdimin e mbledhjes konstituive të legjislaturës së V-të (filluar më 17 korrik), të kryesuar nga deputetja më e vjetër e kësaj legjislature, Flora Brovina, siç është e përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit.
Pikë e rendit të ditës së kësaj mbledhje ishte zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.
Me këtë rast, kryesuesja e mbledhjes, Brovina, njoftoi se mbledhja e Kuvendit vazhdon në pajtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, rasti KO, 119/14, të datës 26 gusht 2014, për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
"Ju njoftoi se në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, rasti KO, 119/14, të datës 26 gusht 2014, seanca konstituive e Kuvendit, e cila ka filluar më 17 korrik 2014, nuk është realizuar plotësisht. Konkretisht nuk është zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit. Rrjedhimisht, Kuvendi duhet ta përfundojë seancën konstituive duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët , në pajtim me nenin 67, pika 2 dhe në lidhje me nenin 64, pika 1 e Kushtetutës dhe me kreun 3, të Rregullores së Punës, që zbaton këto nene, si dhe në pajtim me këtë aktgjykim.
Andaj, në bazë të nenit 67, paragrafi 2, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në pajtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ftoj përfaqësuesin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi, që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës", tha Flora Brovina.
Me këtë rast, Hajredin Kuçi, theksoi se ndjehet i nderuar që në emër të PDK-së, të propozojë një kandidat për kryetar të Kuvendit, i cili për herë të pestë është deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. "Kandidati i propozuar është i shquar si personalitet që ka kontribuar në shtetndërtimin e Republikës së Kosovës edhe në kuptimin profesional në ndërtimin e gjeneratave të tëra në drejtësi dhe fusha të tjera të vendit tonë, është koleg i shquar me punën politike të vendit tonë, andaj kërkoj nga deputetët që ta votojnë", tha Kuçi.
Të pranishëm në sallë ishin 116 deputetë, ndërkaq procesi i votimit ishte i hapur. Me këtë rast, kandidati i propozuar nga PDK-ja nuk mori vota të mjaftueshme për t'u zgjedhur kryetar i Kuvendit. Për votuan 44 deputetë, 61 kundër, ndërkaq abstenuan 11 deputetë.
Kryesuesja e mbledhjes, Flora Brovina, njoftoi se kandidati i propozuar nuk mori vota të mjaftueshme për t'u shpallur kryetar i Kuvendit, ndërkaq ndërpreu mbledhjen e Kuvendit, duke sqaruar se deputetët do të njoftohen me shkrim për mbajtjen e seancës konstituive gjatë javës së ardhshme. Krejtësisht në fund Brovina luti Sekretarinë e Kuvendit që t'i përmbahet udhëzimit në mbështetje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për ndërprerje të seancës.