Lajmet e fundit
Kuvendi i Kosovës shënoi Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë
E Hënë, 15.09.2014
Kuvendi i Republikës së Kosovës, me një sërë aktivitetesh, ka shënuar sot 15-shtatorin, Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.
Në ceremoninë e hapjes së kësaj dite, sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, tha se kremtimi i Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, tashmë është bërë traditë edhe në Kuvendin e Kosovës. Sekretari Krasniqi tha se ky është viti i katërt që Kuvendi ynë i është bashkangjitur parlamenteve të shteteve të tjera të botës në shënimin e kësaj dite.
"Nxitja e qytetarëve, veçanërisht e të rinjve, nga vet Kuvendi, për të qenë pjesëmarrës në aktivitete të ndryshme brenda këtij institucioni, dëshmon përkushtimin për transparencë para publikut dhe për qasje të qytetarëve në punën e përfaqësuesve të tyre të zgjedhur", theksoi sekretari i Kuvendit.
Me moton: "Demokracia është liri pjesëmarrjeje dhe përgjegjësi", nga ora 10:00 Kuvendi ka hapur dyert për qytetarët. Dhjetëra grupe nxënësish të shkollave të mesme nga e gjithë Kosova, studentë dhe qytetarë të tjerë (mbi 700 vizitorë), kanë vizituar ndërtesën e legjislativit të vendit dhe njëherësh, janë takuar me përfaqësuesit e tyre të zgjedhur.
Është mbajtur, po ashtu, Panairi i Organizatave të Shoqërisë Civile, në të cilin OJQ të ndryshme, kanë ekspozuar publikime dhe materiale të tyre.
Në kuadër të kësaj dite, u ndanë edhe çmimet për esenë më të mirë, në temën: "Dua të jem aktiv dhe të marr përgjegjësi për proceset politike dhe shoqërore të vendit", konform kritereve të përcaktuara me konkurs.
Fituesit e shpërblimeve, Elsa Dauti, nxënëse e klasës X/7 në Shkollën e Mesme "Abdyl Frashëri" në Prishtinë dhe Sulltane Mulaj, nxënëse e XII/14 në Gjimnazin "Gjergj Kastrioti - Skënderbeu" në Drenas, Kuvendi i shpërbleu me nga një lap-top.
Po ashtu, u mbajtën edhe aktivitete e performanca të tjera për të rinjtë.