Lajmet e fundit
Vazhdim i seancës konstituive të Kuvendi i Kosovës shtyhet për të enjten e ardhshme, më 18 shtator
E Enjte, 11.09.2014
Pas një takimi konsultativ të kryesuese së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, znj. Flora Brovina, me nëntë subjekte politike të Kuvendit të Kosovës (PDK dhe tetë subjekte nga radhët e komuniteteve pakicë), është vendosur që vazhdimi i seancës konstituive, i thirrur për nesër ( ditë e premte) të shtyhet për të enjten e ardhshme, më 18 shtator.
Kërkesën për shtyrje e ka shtruar Lista Serbe, ndërkaq, përfaqësuesi i këtij subjekti, Aleksandër Jabllanoviq, duke e arsyetuar atë ka pohuar se brenda 48 orëve të shkuara kanë ndodhur ndryshime të mëdha në jetën politike të Kosovës, prandaj e ka parë të nevojshme konsultimet, siç është shprehur ai me Qeverinë e Serbisë dhe me faktorë relevantë në Kosovë. Ai ka theksuar se Lista Serbe ka marrë shkas nga marrëveshja e bllokut LDK-AAK-NISMA me Lëvizjen Vetëvendosje, duke pohuar se është botërisht i njohur qëndrimi i kësaj lëvizjeje për revidimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
Për shtyrjen e kësaj seance janë pajtuar edhe përfaqësuesi i PPD-së, Nenad Rashiq dhe Emilia Rexhepi nga radhët e PRD-së, Ndërkaq përfaqësuesi i PDK-së, Adem Grabovci, ka deklaruar se deputetët e këtij subjekti kanë qenë të përgatitur për vazhdimin e nesërm të kësaj seance, por duke pasur konsiderata për rëndësinë që ka pjesëmarrje e deputetëve nga radhët e komuniteteve pakicë në seancën konstituive, është pajtuar që seanca të vazhdojë të enjten e ardhshme më 18 shtator.
Në takim nuk ka marrë pjesë asnjë përfaqësues i subjekteve politike që lidhën marrëveshje ditën e djeshme.