Lajmet e fundit
Mbledhja konstituive e Kuvendit
E Enjte, 17.07.2014
Kuvendi i Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen konstituive të legjislaturës së V-të, e dalë nga zgjedhjet e 8 qershorit.
Sikurse është e përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit, mbledhja është kryesuar nga deputetja më e vjetër e kësaj legjislature, Flora Brovina, e ndihmuar nga Teuta Rugova, deputetja më e re e kësaj përbërje të Kuvendit. Këtë mbledhje nga afër e përcolli edhe presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ndërkaq, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të ambasadave të shteteve të ndryshme.
Kryesuesja e mbledhjes, Brovina, fillimisht ka uruar deputetët për mundësinë e përfaqësimit të qytetarëve gjatë këtij mandati, ndërsa apeloi për një bashkëpunim sa më të thellë mes vete.
Në vijim është proceduar me rendin e ditës, të përcaktuar nga Kryesia e legjislaturës së kaluar.
Më pas janë paraqitur propozimet për formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve. Partitë e përfaqësuara në Kuvend propozuan nga një anëtar të këtij komisioni, ndërsa koalicioni LDK-AAK-NISMA, propozoi një përfaqësues për të tria këto subjekte.
Gjatë kësaj pike të rendit të ditës, përfaqësuesja e koalicionit LDK-AAK-NISMA, Vjosa Osmani, si dhe përfaqësuesi VV-së, Visar Ymeri, vlerësuan se kryesuesja e mbledhje i është shmangur rendit të ditës të përcaktuar paraprakisht nga kryesia e legjislaturës së kaluar.
Megjithatë mbledhja ka vazhduar me formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve. Gjatë procedurës së votimit për këtë Komision nuk pati as një votë kundër.
Pas një pauze, komisioni, paraqiti raportin e verifikimit të mandateve të deputetëve. Raporti i paraqitur nga ky komision, përkatësisht kryetari i tij, deputeti, Memli Krasniqi, ishte i bazuar në Raportin e KQZ-së, sipas të cilit rezultonte se grupi më i madh parlamentar, i dalë nga zgjedhjet e 8 qershorit, është subjekti i PDK-së dhe koalicioni i tij me 37 deputetë, i pasuar nga subjekti i LDK-së me 30, VV me 16, AAK me 11, Srpska Lista me 9, Nisma për Kosovën 6, Koalicija Vakat 2, Kosovo Demokratik Tyrk Partisi 2 si dhe Partia Liberale Egjiptiane, Partia Demokratike e Ashkalinjëve të Kosovës, Progresivna Demokratska Stranka, Kosovski Nevi Romani Partia, Nova Demokratska Stranka, Koalicija za Gora dhe Partia e Ashkalinjëve për Integrim, të përfaqësuar me nga me nga një deputet në Kuvend. Pas paraqitjes së këtij raporti, deputetët me shumicë votash (117) e miratuan atë.
Pas kësaj, ashtu siç ishte paraparë, deputetët kanë dhënë betimin.
Në vijim, kryesuesja e mbledhjes, Brovina, me arsyetimin se nuk është në kompetencë të saj të shqyrtojë pikën vijuese, e që kishte të bënte me formimin e grupeve parlamentare, kaloi në pikën e fundit të paraparë për këtë mbledhje, gjegjësisht, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Gjatë shqyrtimit të kësaj pike, fjalën e mori deputeti nga radhët e PDK-së dhe koalicionit të kësaj partie, Hajredin Kuçi. Ai me këtë rast kujtoi se në procesin e krijimit të institucioneve të reja krijohen edhe situata sfiduese. Në paraqitjen e tij, ai bëri thirrje që situata e krijuar të tejkalohet me maturi dhe përgjegjësi politike. Për të hequr dilemat se cili subjekt apo koalicion parlamentar paraqet shumicën, Kuçi kërkoi konsensus politik që lidhur me këtë t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Çfarëdo që të jetë vendimi i Gjykatës, tha në vijim ai, ne do ta mbështesim, në të kundërtën, paralajmëroi Kuçi, këtë do ta bëjë PDK dhe koalicioni i saj.
Më pas fjalën e mori përfaqësuesja e koalicionit, LDK-AAK- NISMA, Vjosa Osmani. Ajo shfaqi bindjen se grupi më i madh parlamentar në Kuvend është koalicioni që ajo përfaqësonte, andaj, kërkoi nga kryesuesja e mbledhjes që e drejta e propozimit për kryetar të Kuvendit t'i mundësohet këtij koalicioni. Me këtë rast, përfaqësuesja e koalicionit LDK-AAK-NISMA ka propozuar deputetin, Isa Mustafa, për kryetar të Kuvendit.
Pas kësaj, kryesuesja e mbledhjes kërkoi një pauzë, pas së cilës e drejta e propozimit për kryetar të Kuvendit nga ajo iu dha Grupit Parlamenatr të PDK-së dhe koalicionit brenda tij.
Në emër të PDK-së, propozimin e paraqiti, deputeti, Adem Grabovci, i cili nga radhët e këtij subjekti politik për kryetar të Kuvendit propozoi deputetin, Agim Aliu.
Duke shfaqur vërejtje lidhur me mënyrën e kryesimit të mbledhjes, veçanërisht me qëndrimin e kryesueses kundruall Grupit Parlamentar LDK-AAK-NISMA, këta të fundit ngritën mocion për zëvendësimin e kryesueses së mbledhjes, Flora Brovina, e cila nuk e hodhi në votim mocionin.
Gjatë procesit të votimit ndërkaq, koalicioni LDK-AAK-NISMA, VV dhe disa nga pjesëtarë të minoriteteve e kanë lëshuar sallën e mbledhjes, duke theksuar se kërkojnë pauzë prej dhjetë minutash.
Në mungesë kuorumi, kryesuesja e deklaroi të mbyllur mbledhjen e sotme.
Megjithatë, mbledhja nuk mori fund, nga se ndihmëskryesuesja e seancës, Teuta Rugova ka shtruar kërkesën me shkrim që të ofrohen shërbimet e nevojshme për vazhdimin e mbledhjes së Kuvendit. Pas kësaj deputetët nga radhët e koalicionit LDK-AAK-NISMA, të Lëvizjes Vetëvendosje dhe disa nga pjesëtarët e minoriteteve u kthyen në sallën e mbledhjeve për të vazhduar me zgjedhjen e kryetarit.
Me këtë rast, nga 83 të pranishmit, fillimisht është miratuar mocioni për ndërrimin e kryesueses, Brovina. Ajo u zëvendësua me deputeten tjetër ndër më të moshuarat në Kuvend, Mirka Babiq.
Më pas, kryesuesja e re e mbledhjes, procedoi me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Gjatë procesit të votimit, rezultoi se nga 83 deputetë të pranishëm, 65 prej tyre votuan kandidatin e koalicionit LDK-AAK-NISMA, Isa Mustafa, për kryetar të Kuvendit, kurse 18 të tjerë abstenuan.
Nënkryetar i Kuvendit nga radhët e Grupit Parlamentar të VV-së është zgjedhur deputeti, Glauk Konjufca ( me 82 vota për dhe asnjë kundër). Është zgjedhur, ndërkaq edhe nënkryetari nga radhët e Grupit Parlamentar 6 + , sipas rotacionit me mandat njëvjeçar: Duda Balje, Myfera Shinik, Danush Ademi dhe Kujtim Paçuku.
Koalicioni LDK-AAK-NISMA dhe Lista Sërbska kanë njoftuar se emrat e nënkryetarëve të tyre (nga një) do të bëhen të dituar në mbledhjen plenare të radhës së Kuvendit të Kosovës. Ndërkaq nuk dihet ende se kur do të bëhen të njohur emrat e dy të propozuarve për nënkryetarë nga radhët e koalicionit PDK,PD,LB, PShDK, PKK.
Në përfundim të seancës deputetëve u është drejtuar kryetari i ri i Kuvendit, Isa Mustafa. Ai premtoi bashkëpunim me të gjithë deputetët, ndërsa siguroi se do të angazhohet për fqinjësi të mirë, luftë kundër korrupsionit si dhe angazhim për zhvillimin ekonomik të vendit.