Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

E Shtune, 12.07.2014




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar, në mbledhjen e sotme me kryetarët e partive parlamentare, ka diskutuar për përgatitjet për seancën konstituive të Legjislaturës V.
Kryeparlamentari Krasniqi tha se e ka ftuar këtë mbledhje të përbashkët të Kryesisë me përfaqësuesit e partive parlamentare, që të përgatisë propozimin e rendit të ditës për mbledhjen konstituive të Legjislaturës V të Kuvendit dhe për t'i caktuar vendet e deputetëve në sallë.
Në vazhdim, kryetari Krasniqi i informoi nënkryetarët e Kuvendit dhe përfaqësuesit e partive parlamentare për procesin e regjistrimit të deputetëve dhe për njoftimin lidhur me krijimin e Grupit Parlamentar LDK AAK NISMA me 46 deputetë, plus një deputet, i cili ka dorëzuar deklaratën me shkrim. Krasniqi tha se Kryesia duhet të vendosë për procedimin e mëtejmë të këtij njoftimi, ndërkohë që, nëse vjen ndonjë njoftim për formimin e grupeve të ngjashme parlamentare, sipas tij, do t'i procedohet seancës për njoftim.
Krasniqi tha se sipas rregullës së deritashme, Grupi i ri Parlamentar i formuar me 47 deputetë, duhet të ulet në qendër.
Pas kësaj, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se kompetencat aktuale të këtij organi janë të kufizuara vetëm në përgatitjen e rendit të ditës për seancën konstituive dhe për caktimin e ulëseve në Kuvend. Sipas tij, së pari do të duhej të themelohej Komisioni për Verifikimin e Mandateve dhe më pas vendimi për ulëset në Kuvendit. Pikat e tjera të rendit të ditës, shtoi Thaçi, janë në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit, me ligjet dhe Kushtetutën.
Kryetari i PDK-së tha se grupimi më i madh parlamentar është grupimi që ka dalë nga zgjedhjet e përgjithshme të 8 qershorit, ndërsa regjistrimet e tjera janë më tepër administrative dhe statistikore për punën e Kuvendit.
Më pas, kryetari i PDK-së, Thaçi dhe nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti, lëshuan mbledhjen.
Kryeparlamentari Krasniqi lexoi nene të Kushtetutës dhe të Rregullores lidhur me grupet parlamentare dhe të drejtën e propozimit për kryetar Kuvendit.
"Ne jemi në kuadër të Kushtetutës dhe të zgjedhjes", theksoi Krasniqi, ndërsa shtoi se ekziston një dokumentacion i plotë për formimin e një grupi parlamentar mbi bazën e Kushtetutës dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, i cili ka 47 deputetë.
Kryetari Krasniqi tha se duke u thirrur në praktikën që grupi më i madh parlamentar ulet në qendër të sallës së mbledhjeve plenare, njoftohet administrata që kjo pjesë e sallës është e grupit më të madh parlamentar, LDK AAK NISMA. Në anën e djathtë, shtoi kryetari Krasniqi, do të ulen deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa në anën e majtë ata të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të partive të komuniteteve pakicë.
Në vazhdim, konform vendimit të presidentes së Kosovës, Kryesia vendosi që seanca konstituive e Legjislaturës V të Kuvendit të mbahet të enjten, më 17 korrik 2014, në orën 10:00.
Me votim unanim të anëtarëve prezentë të Kryesisë, u përcaktua edhe rendi i ditës për këtë seancë. Sipas këtij rendi të ditës, fillimisht do të procedohet me formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, më pas do të bëhet betimi i deputetëve, si dhe do të njoftohet për formimin e grupeve parlamentare. Në pikën e fundit parashihet zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.