Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi uron z. Ilir Meta dhe mbarë popullin e Shqipërisë
E Marte, 24.06.2014
Me rastin dhënies së statusit të kandidatit për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kryetari i Kuvendit të Kosovës,dr. Jakup Krasniqi, ka përgëzuar kryeparlamentarin e Shqipërisë me këto fjalë:"
I nderuar Zoti Kryetar,
Kam kënaqësinë e veçantë që në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës t'ju uroj Juve dhe mbarë popullit të Republikës së Shqipërisë marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Duke përshëndetur vendimin e Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare të BE-së, angazhimin me përkushtim të institucioneve shqiptare dhe mbarë spektrit politik të Shqipërisë, shpreh bindjen time të thellë në suksesin e plotë të Republikës së Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Bashkimi Evropian është dhe mbetet aspirata parësore e shqiptarëve kudo që janë.
Ju lutem, z. Kryetar, pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë", theksohet në telegramin e kryekuvendarit Krasniqi dërguar z. Ilir Meta.