Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti shefen e re të Zyrës Ndërlidhëse Greke në Prishtinë, ambasadoren Konstantina Athanassiadou
E Premte, 13.06.2014
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot shefen e re të Zyrës Ndërlidhëse greke në Prishtinë, ambasadoren Konstantina Athanassiadou, të cilën e uroi për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në punën e saj në krye të misionit grek në Prishtinë.
Kryeparlamentari Krasniqi çmoi bashkëpunimin që Kosova dhe Greqia kanë ndërmjet tyre, por shtroi nevojën e intensifikimit në të gjitha fushat, përfshirë edhe atë parlamentare. Duke shfaqur shpresën se znj. Athanassiadou do të luajë rol pozitiv në kultivimin dhe avancimin e këtyre marrëdhënieve, kryetari Krasniqi shtroi nevojën e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Greqia, si një proces i papërfunduar ende dhe i domosdoshëm për vendin tonë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës e njoftoi diplomaten greke edhe me procesin e fundit zgjedhor, të cilin e konsideroi pozitiv dhe të rregullt, si dhe me zhvillime të tjera paszgjedhore.
Shefja e Zyrës Ndërlidhëse greke në Prishtinë, Athanassiadou, vlerësoi lart mikpritjen në Kosovë dhe shprehu përkushtimin e saj për çuar përpara marrëdhëniet midis Greqisë dhe Kosovës, veçanërisht në fushën ekonomike dhe atë të kulturës.
Diplomatja greke theksoi gatishmërinë për të dhënë kontributin e saj pozitiv në raport me Kosovën, në të gjitha proceset e mundshme.