Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi uron qytetarët e Kosovës me rastin e 12 Qershorit Ditës së Lirisë
E Mërkure, 11.06.2014
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, me rastin e 12 Qershorit - Ditës së Lirisë, nëpërmjet një deklarate ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës, duke e konsideruar 12 Qershorin një nga ditët më të shënuara në kalendarin historik të Kosovës.
"Dita e Lirisë është kurorëzim i luftës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Komandanti Legjendar Adem Jashari.
UÇK-ja dhe rezistenca gjithëqytetare, me të cilën u solidarizua bota demokratike, arritën më 1999 të kurorëzojnë me fitore përpjekjet shekullore të Kosovës kundër pushtimit barbar, kundër dhunës dhe gjenocidit.
U deshën flijime të mëdha për të ardhur këtu ku jemi sot, ashtu siç duhen përpjekje e përkushtim për të realizuar diçka nga aspirata dhe ideali i dëshmorëve të kombit.
Sot, 15 vjet pas çlirimit dhe gjashtë vjet pas pavarësisë, Kosova dalëngadalë po zë vendin e saj të merituar në botë, duke qenë faktor paqeje e stabiliteti në rajon, dhe me perspektivë të qartë euro-atlantike", thuhet në deklaratën e kryeparlamentarit Krasniqi.