Lajmet e fundit
Filloi punën konferenca rajonale me temë : " Së bashku për më shumë transparencë dhe përgjegjësi politike
E Shtune, 17.05.2014
Në ambientet e Kuvendit të Kosovës sot filloi punën konferenca rajonale me temë : " Së bashku për më shumë transparencë dhe përgjegjësi politike", organizuar nga IPS Alumni Kosova. Në këtë Konferencë, pos tjerësh, merrnin pjesë edhe 40 të rinj nga Evropa, ish- praktikantë të Bundestagut Gjerman.
Me një fjalë rasti pjesëmarrësve të Konferencës, në fillim iu drejtua kryetari i Kuvendit të Kosovës dr. Jakup Krasniqi.
Pasi shprehu kënaqësinë që është në mesin pjesëmarrësve të kësaj Konference dhe pasi falënderoi Klubin e bursistëve të Bundestagut gjerman, IPS-Alumni Kosova dhe kryetaren Hyseni për organizimin e kësaj veprimtarie, që reflektohet në sintetizimin e dijeve të arritura, kryekuvendari Krasniqi theksoi se Bundestagu gjerman ka bërë veprim të shkëlqyer duke financuar bursistët e shkolluar në institucione prestigjioze, të cilët kthehen në atdhe, të përgatitur për t'i kontribuuar atij me dijet e fituara. "Gjej rastin e mirë t'i shpreh mirënjohje Bundestagut, Qeverisë dhe popullit gjerman për këtë ndihmë bujare, por edhe për gjithë mbështetjen që i ka dhënë e po i jep Kuvendit dhe Kosovës, si shteti më i ri në kontinentin tonë. Konferencës suaj me temën domethënëse dhe shumë të qëlluar, i uroj punime të suksesshme dhe përfundime e rekomandime të vlefshme, në dobi të politikëbërjes dhe qeverisjes me transparencë, përgjegjësi e llogaridhënie", u shpreh z. Krasniqi.
Duke folur në vijim për politikën dhe përgjegjësinë, ai tha:" Ne të gjithë kemi nevojë që në politikë të kemi më shumë transparencë dhe më shumë përgjegjësi. Politikë të përgjegjshme mund të bëjnë vetëm politikanët e përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm për misionin e tyre të lartë. Por, bashkë mund të mësohet më shumë, mund të këmbehen më mirë idetë e përvojat dhe të përballohen më lehtë sfidat. Vetëm komunikimi i ndërsjellë dhe bashkëpunimi i ngushtë e i vazhdueshëm e bëjnë të mundur këtë qëllim të përbashkët", theksoi kryekuvendari Krasniqi.
Përkitazi me punën e Legjislaturës Katërt, ai tha se nuk është krejt ashtu si po thuhet se ka qenë legjislatura më e dobët. Si institucion, Kuvendi nuk ka qenë në nivelin e duhur përfaqësues, bile krejt vërejtjet që kanë ardhur për këtë legjislaturë janë bazuar në përfaqësimin dhe disiplinën e deputetëve, por jo te puna dhe përmbajtja që ka dalë nga kjo Legjislaturë. Kjo Legjislaturë ngado që ta merret është legjislatura më e suksesshme , është e suksesshme në miratimin e ligjeve , gjithsej 222 ligje. Është Legjislatura që më së shumti ka pasur debat përmbajtjesor dhe në interes të qytetarëve e në interes të zhvillimit të proceseve, por jo gjithçka është varur nga Kuvendi . Deputetët kanë bërë shumë pyetje parlamentare, por ata jo gjithherë kanë marrë përgjigjet në pyetjet e tyre, përgjegjësia ka qenë e Qeverisë , jo e Kuvendit.
Ndërkaq, duke folur për segmentin e mbikëqyrjes parlamentare, kryekuvendari Krasniqi tha se kjo legjislaturë më së miri ka bërë mbikëqyrjen e institucioneve që ka zgjedhur vetë dhe ka mbikëqyrur zbatimin e ligjeve, duke sjellë raporte më shumë se çdo legjislaturë tjetër. Pra , po të shikohet volumi i punëve, punë është bërë më së shumti, por disiplina e deputetëve nuk ka qenë në nivelin e duhur. Politika e Kuvendit ka qenë mjaft transparente, mediat kanë mundur të ndjekin punën e komisioneve, aty ku bëhet edhe puna kryesore, seancat kanë qenë transparente, ato janë transmetuar nga transmetuesi publik. Me një fjalë, gjithë puna e Kuvendit ka qenë në dispozicion në mënyrë të shumanshme para publikut, pra ka qenë transparente. Përgjegjësia është një çështje tjetër. Përgjegjësia në politikë nuk është kolektive, ka diçka që është kolektive, por ajo më shumë është personale. Secili individ e kupton përgjegjësinë dhe e merr përgjegjësinë aq sa e ka dhe sa mund të jetë. Por, detyra, jo vetëm e Kuvendit, por e politikës në përgjithësi, madje edhe mediave duhet të jetë nxitëse, ashtu si edhe e shoqërisë civile, që njerëzit e politikës të jenë transparentë në punën e tyre dhe njëkohësisht të jenë përgjegjës, sepse në Kuvendin e Kosovës askush nuk e përfaqëson vetëm vetveten, pasi kjo është shtëpi e qytetarëve të Kosovës. Qytetarët kanë përfaqësuesit e tyre, të cilët duhet të kryejnë detyrat, ashtu si i parasheh Kushtetuta, Rregullorja e Punës së Kuvendit dhe ligjet.
Përgjegjësia në politikë varet shumë nga tradita, edukimi, që nga arsimi fillor e tutje, përkatësisht nga kultura që ka fituar gjatë jetës individi, personaliteti që do të përfaqësojë qytetarët. Nëse në të gjitha këto shkallë ai ka pasur ngritje dhe kualitet, ashtu do të jetë edhe përgjegjësia e tyre njerëzore, kur këta ulen edhe në ulëse të niveleve më të larta. Ju jeni bërthama që e ndihmoni zhvillimin kualitativ, transparencën dhe ngritjen e përgjegjësisë së njerëzve që me angazhimin dhe politikën e tyre të jenë në shërbim të të tjerëve, theksoi kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.