Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi ngushëllon homologun e tij turk, Cemil Çiçek
E Mërkure, 14.05.2014
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i dërgoi një telegram ngushëllimi kryetarit të Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë, Cemil Çiçek, me rastin e tragjedisë së shkaktuar nga shpërthimi në një minierë në Manisa të Turqisë.
Në telegramin e ngushëllimit thuhet:
"I nderuar z. Çiçek,
Me keqardhje dhe dhimbje të thellë mësuam lajmin për tragjedinë që ndodhi me rastin e shpërthimit në një minierë në vendin tuaj, ku humbën jetën mbi 200 persona.
Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju shpreh Juve shkëlqesi, familjeve të viktimave dhe popullit të Turqisë ngushëllimet e sinqerta.
Institucionet dhe populli i Kosovës e kanë përjetuar rëndë këtë ngjarje tragjike, ndërsa të mbijetuarve u dëshirojnë shërim sa më të shpejtë.
Ju lutem Shkëlqesi, pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë".