Lajmet e fundit
Përmbylli punimet Asambleja Parlamentare e shteteve të Evropës Juglindore
E Diel, 11.05.2014
Ka përfunduar punimet sot në Bukuresht Asambleja Parlamentare e shteteve të Evropës Juglindore, në të cilën morën pjesë kryetarë të parlamenteve të vendeve të rajonit: Rumanisë, Shqipërisë, Greqisë, Malit të zi, Kroacisë, Turqisë dhe Bullgarisë, ndërsa Kosova, në cilësi të mysafirit të veçantë, u përfaqësua nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi.
Pjesëmarrësit e Asamblesë, në fund miratuan një deklaratë të përbashkët.
Në ditën e parë të punimeve, Asamblesë i është adresuar me një fjalim kryeparlamentari Krasniqi, duke kërkuar që edhe Kosova të bëhet pjesë e procesit të bashkëpunimit të Evropës Juglindore, ndërsa Kuvendi i saj të jetë anëtar i kësaj Asambleje Parlamentare.
"Ne i çmojmë lart rolin dhe synimet e Asamblesë Parlamentare, e cila pa dyshim do t'u kontribuojë bashkëpunimit të gjithanshëm e në veçanti atij ndërparlamentar në Evropën Juglindore, paqes e stabilitetit në rajon e në Evropë, harmonizimit të kornizës ligjore të vendeve anëtare, shkëmbimit të përvojave të avancuara, vendosjes së raporteve të shëndosha me iniciativat, forumet dhe institucionet tjera rajonale, zhvillimit demokratik e ekonomik, avancimit të zgjedhjeve të lira, të drejta dhe transparente, respektimit të drejtave universale të njeriut dhe të komuniteteve pakicë, komunikimit më të mirë dhe bashkëpunimit efektiv me institucionet e Bashkimit Evropian e zbatimit të standardeve evropiane legjislative, përparimit të agjendës integruese evropiane etj.", ka thënë ndër të tjera kryeparlamentari Krasniqi.
Në kuadër pritjes nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Rumanisë, Valeriu Stefan Zgonea dhe të punimeve të Asamblesë, kryeparlametari Krasniqi ka zhvilluar takime të rastit me kryetarë të parlamentit të Kroacisë, Greqisë, Malit të zi dhe Shqipërisë.