Lajmet e fundit
Mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës
E Mërkure, 07.05.2014
Në mbledhjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë u drejtua nga nënkryetari Xhavit Haliti) u shqyrtua kërkesa e Grupit të deputetëve për shpërndarjen e Legjislaturës së Katërt të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
U sqarua se kërkesa është nënshkruar nga 57 deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe është në pajtim me nenin 69, paragrafi 4 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe nenin 38 të Rregullores së Kuvendit.
Deputeti Arsim Bajrami, duke folur në emër të grupit të deputetëve të cilët kanë nënshkruar këtë kërkesë, kërkoi nga të gjitha partitë politike që ta mbështesin këtë propozim, në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhjet e parakohshme, të cilat do të mbahen sipas standardeve ndërkombëtare.
Adem Grabovci, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, tha se mbështet nismën e deputetëve nënshkrues për shpërbërjen e Kuvendit dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të lira dhe demokratike.
Ndërkaq, Ismet Beqiri, kryetar i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se ka qenë kërkesë disamujore e LDK-së që të shkohet në zgjedhje me herët, pikërisht në muajin qershor."Esenca është që të shkohet në zgjedhje dhe qytetarët e vendit t'ia tregojnë rrugën kësaj qeverie për në shtëpi. Besoj se kjo do të ndodhën dhe grupi parlamentar i LDK-së do ta votojë këtë mocion", tha Beqiri. Visar Ymeri, shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, pasi dha një sërë kritikash për Qeverinë, si dhe për LDK-në, tha se rruga drejt zgjedhjeve duhet të jetë ajo e rrëzimit të Qeverisë. "Rrëzimi i qeverisë duhet të jetë njëkohësisht kundërshtim i politikave të saj, e jo vetëm i njerëzve në të. Ndryshimi në Kosovë vjen përmes ndëshkimit politik të Qeverisë dhe politikave qeveritare, dhe përmes ndëshkimit gjyqësor të zyrtarëve të korruptuar. Një mocion mosbesimi për qeverinë duhet domosdoshmërisht ta përmbajë kundërshtimin e marrëveshjes, negociatave dhe koncesioneve ndaj Serbisë, si dhe kundërshtimin ndaj politikave qeveritare të rrënimit të pasurisë publike, të keqpërdorimit të parasë publike, të politikave varfëruese dhe kundër-zhvillimore të qeverisë. Përndryshe çfarëdo metode tjetër vetëm sa e përforcon këtë keqqeverisje. "Ne duhet ta ndëshkojmë qeverinë dhe politikat e kësaj qeverie. Ne nuk bëhemi pjesë e kësaj marrëveshjeje. Kosova nuk ndryshon duke u marrë vesh me Thaçin. Kjo është dëshmuar në koalicionin e para këtij mandati. Kjo është dëshmuar edhe gjatë këtyre viteve të këtij mandati, të marrëveshjeve jashtë institucionale e jo transparente. Kjo po dëshmohet edhe sot me këtë ndëshkim që po përgatiteni t'ia bëni Kuvendit, dhe me këtë shfajësim që po ia bëni qeverisë", theksoi Ymeri.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, pasi drejtoi shumë kritika për qeverinë, duke thënë se Kosova sot shihet si vend i krimit dhe i korrupsionit, si pasojë e një qeverisje të keqe, tha se mocioni i përbashkët i dy partive politike për shpërndarjen e Kuvendit, me të vërtetë e sjell fundin e qeverisë, por shtoi ai, Kosova, qytetarët e saj dhe Kuvendi e kanë merituar që të kenë një qeveri të shkarkuar. Ai më pas përmendi edhe mocionin për shkarkimin e Qeverisë, i cili nuk ishte mbështetur nga partitë opozitare.
Pas diskutimit të Myzejene Selmanit, kryetare e Grupit Parlamentar të Koalicionit Kosova e Re, Petar Miletiq, në emër të Grupit parlamentar të Partisë së pavarur Liberale (SLS), si dhe Mufera Sinik, Grupi 6+, diskutuan edhe deputetë të tjerë, me ç‘rast u paraqitën një sërë vërejtje ndaj këtij propozimi dhe qeverisë.
Tutje, para deputetëve foli edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. "Sot jemi mbledhur në këtë seancë të jashtëzakonshme për të marrë një vendim të përbashkët në interes të vendit dhe qytetarëve tanë, të koordinuar me partitë politike për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Ky vendim është i domosdoshëm", theksoi z. Thaçi.
Tutje, kryeministri Thaçi theksoi se çdo parti e cila i është bashkangjitur këtij vullneti kanë marrë vendim të drejtë. Sipas tij një vendim i tillë që po bëhet në mënyrë të koordinuar është i domosdoshëm në këtë fazë, ndërkaq shfaqi disa nga argumentet pse duhet marrë një vendim i tillë. Ai vlerësoi se është momenti i duhur për organizimin e zgjedhjeve , në mënyrë që institucionet të jenë kredibile. Ai përmendi edhe vendimin e qeverisë për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, duke shtuar se Kuvendi nuk i ka dhënë përgjigje adekuate këtij vendimi të qeverisë, si dhe formimit të disa komunave të reja.
Duke theksuar faktin se Kosova duhet të ketë institucione kredibile që marrin vendime në interes të qytetarëve, ai tha se institucionet përgjegjësie do të sigurojnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare sipas standardeve të larta ndërkombëtare dhe brenda afateve kohore.
Krejtësisht në fund, kryeministri Thaçi, falënderoi deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kësaj legjislature, për përkrahjen e vazhdueshme drejt marrjes së vendimeve të mira në interes të qytetarëve. "Bashkërisht kemi arritur suksese dhe besojmë se kështu do të jetë edhe në të ardhmen", theksoi Thaçi.
Deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të përkrahur nga ata të Lëvizjes Vetëvendosje, propozuan që krahas kësaj kërese për shkarkimin e Kuvendit të jetë në rend dite edhe mocioni për rrëzimin e Qeverisë.
Me këtë rast, kryekuvendari Krasniqi, sqaroi se ky mocion për shkarkimin e Qeverisë nuk mund të hyjë sot në rend dite, meqë sipas tij, ky fakt bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës. Kreu i Kuvendit, tha se Kuvendi i Kosovës po shpërndahet për arsye se pozita nuk i ka numrat në Parlament dhe për arsye se opozita nuk i ka numrat për ta rrëzuar Qeverinë.
Pas diskutimit të gjerë të deputetëve, kërkesa e Grupit të deputetëve për shpërndarjen e Legjislaturës së Katërt të Kuvendit të Republikës së Kosovës, u hodh në votim.
Me 90 vota për, 4 kundër dhe 3 apstenime, Kuvendi vendosi për shpërndarjen e Legjislaturës së Katërt të Kuvendit të Republikës së Kosovës.