Lajmet e fundit

Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit

E Marte, 06.05.2014




Mbledhja e rregullt plenare, e nisur dje, vazhdoi edhe sot, nën kryesimin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti.

Fillimisht, deputetët votuan raportet e agjencioneve të pavarura, për të cilat debati lidhur me to është zhvilluar në mbledhjen e djeshme, ndërsa në mungesë kuorumi nuk ishin hedhur në votim.

Në këtë mbledhje u miratuan: Raporti i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Aviacionin Civil, Raporti i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2013, Raporti i Agjencisë Shtetërore për mbrojtjen e të dhënave personale për vitin 2013 dhe Raporti i Zyrës së Rregullatorit për ujëra dhe mbeturina për vitin 2013.

Në vijim, Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi në lexim të dytë edhe dy projektligje: Projektligjin për masat antidamping dhe masat kundërbalancuese dhe Projektligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti.

Mbledhja vijoi me zgjedhjen e një anëtari të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës. Zgjedhja e anëtarit të këtij Bordi është bërë me votim të fshehtë, ku rezultoi se kandidati Flamur Keqa mori shumicën e votave (50), kundruall kandidatit Lekë Zherka, i cili mori 22 vota. Në votim morën pjesë 84 deputetë.

Pas kësaj Kuvendi ndërpreu punimet, ndërsa për pikat e mbetura do të vendosë Kryesia e Kuvendit.

 

 

Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit