Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
E Hënë, 05.05.2014
Mbledhja e sotme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar (një pjesë të saj e kryesoi nënkryetari Xhavit Haliti), filloi me pikën e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës, ndërsa në pyetjet e deputetëve u përgjigjën: ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ministri i Financave Besim Beqaj dhe ai i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismaili.
Me propozim të kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, u shtynë për nesër dy pika të rëndit të ditës: miratimi i amendamenteve në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të propozuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me Forcat e Armatosura të Kosovës, me arsyetimin se për shqyrtimin e tyre nevojitet konsulta shtesë.
Deputetët më tej shqyrtuan në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontrollin e duhanit. Arsyetimin e raportit dhe rekomandimin që të miratohet në parim kyr projektligj për plotësim dhe ndryshim e paraqititi deputeti, Fikrim Damka, kryetar i Komisionit për Shëndëtësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale. Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, gjatë fjalës së tij, kërkoi nga deputetët që të mos e përkrahin këtë nismë për ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji, duke theksuar më tej që të mos i nënshtrohen presionit të industrisë së duhanit për të ndryshuar nenin 9, i cili ndalon ekspozimin e prodhimeve të duhanit në pikat e shitjes.
Pas një diskutimi të gjerë të deputetëve, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontrollin e duhanit, nuk arriti të miratohet, as pas dy votimeve të deputetëve, meqë nuk morën pjesë në votim 61 deputetë.
Tutje, u shqyrtua raporti i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Aviacionin Civil, të cilin e paraqiti kryetari i komisionit, Zenun Pajaziti. Sipas rekomandimit të këtij komisioni, është kërkuar nga Qeveria që ta përfshijë në planin legjislativ të vitit 2014 plotësim ndryshimin e ligjit.
Deputetët shqyrtuan edhe raportin vjetor për vitin 2013 të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memorialë të Kosovës, të cilin e paraqiti kryetari i Komisionit për Bujqësi, Nait Hasani. Duke theksuar mangësitë brenda këtij raporti, Hasani, i rekomandoi Kuvendit që të mos e miratojë këtë raport. Deputetët shqyrtuan edhe raportin e Zyrës së Rregullatorit për Ujëra dhe Mbeturina për vitin 2013, të cilin po ashtu e paraqiti kryetari i Komisionit për Bujqësi, Nait Hasani, i cili kërkoi nga deputetët që ta miratojnë atë, meqë shtoi se për dallim nga viti paraprak, ky raport është më i avancuar.
Mbledhja e Kuvendit është ndërprerë në mungesë kuorumi, ndërkaq, vazhdimi i mbledhjes do të mbahet gjatë ditës së nesërme, duke filluar nga ora 10:00.