Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi mori pjesë në ceremoninë e dekorimit të patriotit Hasan Prishtina
E Premte, 02.05.2014
Me ftesë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani, kryetari i Kuvendit të Republikës Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mori pjesë në ceremoninë e dekorimit të patriotit dhe rilindasit Hasan Prishtina, që u zhvillua sot në Tiranë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës në këtë ceremoni mbajti një fjalë rasti:
"I nderuar president i Republikës së Shqipërisë, zoti Bujar Nishani
Të nderuar të pranishëm
Zonja dhe zotërinj
Është kënaqësi të jesh pjesëmarrës i kësaj ceremonie të nderimit dhe respektit që po i bën presidenti i Shqipërisë njërit nga baballarët e kombit tonë dhe njërit nga themeluesit e shtetit shqiptar, luftëtarit të shquar të lirisë, pavarësisë dhe demokratizimit të Shqipërisë, përfaqësuesit brilant të popullit të Kosovës në Parlamentin e Perandorisë Osmane, veprimtarit të pandalur të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, intelektualit kryengritës gjatë gjithë jetës së tij, politikanit dhe burrit të shtetit, personalitetit historik dhe simbolit të bashkimit e përparimit, Hasan Prishtinës së madh e të paharrueshëm.
Hasan Prishtina përbën figurën emblematike të Lëvizjes Kombëtare shqiptare, në përpjekjet e çlirimit dhe të pavarësisë së Shqipërisë, konsolidimit të shtetit të ri shqiptar dhe demokratizimit e modernizimit të tij, në themelimin e Komitetit Mbrojta Kombëtare e Kosovës, i cili udhëhoqi kryengritjet shqiptare dhe mbajti të ndezur zjarrin e rezistencës kundër pushtimit dhe robërisë sllave në tokat e aneksuara shqiptare, në Kongresin e mirënjohur kombëtar të Lushnjës etj.
Hasan Prishtina, u bë për së gjalli, por edhe pas vrasjes së tij, flamur i rezistencës shqiptare kundër pushtimit e robërisë, u bë frymëzues i pashtershëm i brezave të shumtë të veprimtarëve dhe luftëtarëve të lirisë, deri në epokën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të Adem Jasharit, komandantit legjendar të saj.
Hasan Prishtina, me mendjen e ndritur e shpirtin e pastër, me virtytet e larta, me moralin, guximin dhe qëndresën e pashembullt, është përfaqësues i vlerave historike të kombit tonë. Mendja e tij iluministe nuk mund të pajtohej me obskurantizmin feudal mesjetar, prandaj shkriu gjithë jetën dhe pasurinë që kishte në shërbim të lirisë, arsimimit dhe emancipimit të popullit të vet. Shëmbëlltyra e Hasan Prishtinës është aq domethënëse për brezin e sotëm të klasës politike shqiptare në gjithë gjeografinë tonë kombëtare. Ai përbuzi rehatinë dhe pasurinë personale e familjare, jetën luksoze, për të qenë në shërbim të atdheut me të gjitha kapacitetet që kishte.
Hasan Prishtina ishte i ndërgjegjshëm që pas përmbysjes së Revolucionit demokratik të qershorit të vitit 1924, pas vrasjes së pabesë të tribunëve popullorë, Bajram Curri e Luigj Gurakuqi, dora kriminale e forcave tradhtare të kombit do të ngrihej edhe kundër tij, por ai nuk pushoi së vepruari e së luftuari deri në rënien e tij në altarin e atdheut më 1933, pas atentatit kriminal në Selanik.
Kanë kaluar mbi tetëdhjetë vjet nga Vrasja e Hasan Prishtinës, por shembulli i tij jetësor, idealet që përfaqësonte për lirinë, pavarësinë dhe bashkimin kombëtar, për demokracinë dhe përparimin e vendit, mbeten aktuale dhe porosi historike edhe për brezat e sotëm e të nesërm të shqiptarëve.
Hasan Prishtina ishte biri besnik i Kosovës kryengritëse ndër shekuj, por ai nuk i përket vetëm Vushtrrisë që e rriti, Prishtinës që e përfaqësonte dhe Kosovës martire, por gjithë Shqipërisë dhe kombit shqiptar, sepse veprimtaria e tij reflekton interesat e përgjithshme kombëtare dhe jo lokale e parciale.
Dekorimi i Hasan Prishtinës nga Presidenti përbën një akt vlerësimi, mirënjohjeje dhe respekti të thellë për këtë burrë të madh të kombit dhe figurë të shquar historike e simbol të vlerave tona të larta kombëtare.
Faleminderit".