Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...

E Marte, 02.07.2019




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, të kryesuar nga Muharrem Nitaj, kryetar, i ftuar për raportim ishte Bislim Zogaj, drejtor i Agjencisë për Komplekset Memoriale.

Drejtori Bislim Zogaj, gjatë raportimit te tij, bëri të ditur se është duke punuar intensivisht në plotësimin e informatave shtesë për raportin vjetor për vitin 2018, i cili është kërkuar nga anëtarët e komisionit. Përkitazi me këtë, Zogaj tha se është angazhuar me punonjësit e agjencionit në teren, në mënyrë që të formulohen listat për të gjithë lapidarët e vendosur anembanë Kosovës.

Megjithatë, Zogaj shtoi se për të marrë informacione lidhur me të dhënat e vendndodhjes së lapidarëve nuk kanë gjetur bashkëpunim nga kryetarët e komunave, ndërsa, sipas tij, këto të dhëna është dashur t'i kërkojnë nga administratorët e fshatrave.

Anëtarët e komisionit vlerësuan punën e agjencionit në këtë drejtim, por propozuan që të pritet plotësimi i raportit me të gjitha të dhënat dhe pastaj të votohet.

Po ashtu, u kërkua që agjencioni të këmbëngul që këto të dhëna të kërkohen nga kryetarët e komunave, pasi që, sipas tyre, të dhënat që merren nga administratorët mund të jenë të pasakta.

Në vazhdim të mbledhjes, komisioni përkrahu dy projektligje dhe i procedoi tutje në Kuvend: Projektligjin për produktet biocide, si dhe Projektligjin për odën e arkitektëve dhe odën e inxhinierëve në fushën e ndërtimit.