Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së

E Mërkure, 27.03.2019




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, të kryesuar nga kryetari Haxhi Shala, raportoi drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, lidhur me raportin vjetor të punës për vitin 2018. Me këtë rast, ai paraqiti në mënyrë të përmbledhur aktivitetet, të arriturat dhe statistikat e angazhimit të policisë përgjatë vitit që lamë pas, e po ashtu dha sqarime të shumta edhe në çështje të ndryshme që u ngritën nga anëtarë të Komisionit.
Qalaj sqaroi se numri i veprave penale ka shënuar rënie për 0.60 për qind, ndërsa i personave të vdekur në aksidentet e trafikut rrugor kanë shënuar rënie për 5.83 për qind. Po ashtu, numri i aksidenteve në trafikun rrugor ka shënuar rënie për 11.04 për qind.
Ai vlerësoi se në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët, por edhe me të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare relevante në fushën e sigurisë, policia ka arritur rezultate të konsiderueshme në luftimin e dukurive shqetësuese të shoqërisë, përkundër sfidave të shumta të cilat janë paraqitur gjatë përmbushjeve të objektivave policore.
"Gjatë vitit 2018, policia ka evidentuar gjithsej 46.841 raste. Prej tyre, 34.810 janë klasifikuar si vepra penale, ndërsa 12.031 si kundërvajtje dhe raste të natyrave tjera. Krahasuar me vitin 2017, numri i rasteve ka shënuar rënie për 4.82 për qind, numri i veprave penale po ashtu ka shënuar rënie për 0.60 për qind, rënie për 15.23 për qind ka shënuar edhe numri i kundërvajtjeve dhe raste të natyrave tjera. Numri i vrasjeve ka shënuar ngritje, nga 27 në 32 ose ngritje për 18.51për qind. Numri i lëndimeve të rënda trupore ka shënuar rënie për 4 për qind", tha Qalaj duke shtuar se numri i vjedhjeve ka shënuar ngritje për 1.86 për qind, e ndërsa numri i vjedhjeve të rënda ka shënuar rënie për 8.57 për qind.
Qalaj ka folur edhe lidhur me sigurinë në trafikun rrugor, me ç‘rast tha se kjo çështje vazhdon të mbetet sfidë dhe për të adresuar këtë sfidë, policia e Kosovës në vazhdimësi po bën përpjekje të mëdha që të rritet siguria në trafikun rrugor.
Krejtësisht në fund, drejtori i policisë u përgjegj edhe në pyetjet e shumta të anëtarëve të komisionit. Me theks të veçantë, u diskutua edhe lidhur me procesin e hetimeve në rastin "Dranasi" me ç‘rast janë të përfshirë edhe zyrtarë policorë, si dhe për gradimet e policëve në këtë institucion.
Pikë e rendit të ditës së mbledhjes së sotme ishte edhe shqyrtimi i raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe formimi i panelit për zgjedhjen e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, mirëpo këto çështje janë shtyrë për mbledhjen e radhës.

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së