Lajmet e fundit

Komisioni për Zhvillim Ekonomik...

E Enjte, 14.03.2019




Sot në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, kryesuar nga Sala Berisha-Shala, kryetare e Komisionit, ka raportuar ministri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit (MI), Pal Lekaj, lidhur me planifikimin e punëve dhe projekteve infrastrukturore për vitin 2019.
Me këtë rast, në fillim të fjalës së tij ministri Lekaj vuri në dukje misionin e kësaj ministrie, për të cilin ai tha se është: "Krijimi i ambientit për zhvillim të sigurt, kualitativ dhe funksional të sistemeve të transportit dhe kapaciteteteve njerëzore, për të mundësuar shërbime cilësore dhe të qëndrueshme, mjedis ekologjik, rritje ekonomike dhe integrim ndërkombëtar".
Për të realizuar këtë mision, tha në vijim ministri, MI-ja, 90% nga buxheti i tërësishëm i saj, ia ka dedikuar ndërtimit dhe rindërtimit të infrastrukturës rrugore.
Më pas, ai foli për objektivat që synohet të realizoj MI-ja, e të cilat ai tha se janë: integrimi i Kosovës në korridoret Pan-evropiane dhe rrjetin rajonal rrugor, zvogëlimi i shpenzimeve të transportit, mirëmbajtja dhe përmirësimi i rrugëve ekzistuese dhe përmirësimi i sigurisë rrugore.
Lidhur me projektet, të cilat synohet të realizohen gjatë këtij viti dhe viteve në vijim, ministri Lekaj veçoi: realizimin e projektit Ndërtimi i Autostradës R6/ Prishtinë- Hani i Elezit, vazhdimi i realizimit të drejtimit rrugor 7 Morinë- Prishtinë- Merdare (segmenti Besi -Merdare), autostrada Prishtinë- Gjilan- Konçul, vazhdimi i projektit të zgjerimit të rrugës nacionale N9 Prishtinë- Pejë (segmenti Kijevë - Zahaq), vazhdimi i segmentit të zgjerimit të rrugës nacionale N2, Prishtinë- Mitrovicë, zgjerimi i rrugës regjionale R- 102 dhe N- 25, zgjerimi rrugës regjionale N- 25 Podujevë- Prishtinë, si dhe zgjerimi i rrugës Dollc- Gjakovë.
Në vijim, ministri shpalosi planet e parapara për investimin në Aeroportin Ndërkombëtar " Adem Jashari" të Prishtinës, autostradën e Dukagjinit, si dhe infrastrukturën hekurudhore.
Pas kësaj, deputetët shtruan pyetje dhe ngritën disa çështje, për të cilat ministri Lekaj ofroi sqarimet e nevojshme.

Komisioni për Zhvillim Ekonomik...