Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...

E Hënë, 04.03.2019




Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, mbajti mbledhjen e radhës të udhëhequr nga Ismajl Kurteshi, kryetar, në të cilën ishte i ftuar për raportim ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.

Ministri Gashi raportoi për punët dhe aktivitet e periudhës dy mujore që ministria ka zhvilluar gjatë këtij viti. Ministri bëri të ditur se ministria që ai drejton vëmendje të veçantë do t'i kushtojë trashëgimisë kulturore.

"Theks të veçantë do t'i kushtojmë fushës së trashëgimisë kulturore. Sfidat në fushën e trashëgimisë kulturore janë ato administrative të financimit të projekteve, por më e veçanta e gjithë kësaj, është mbyllja e llogarive bankare të institucioneve të trashëgimisë kulturore. Po ashtu, edhe bashkëfinancimi për projektet kulturore me komunat, pasi që komunat nuk ndajnë mjete në këtë fushë e cila po neglizhohet. Mos funksionimi i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore mbetet një sfidë e madhe për MKRS-në por edhe për shtetin", tha Gashi.

Ministri Gashi, foli edhe për planet dhe projektet të cilat janë në realizim e sipër. Ai tha se është në procedurë Ligji për rini, të cilin e vlerësoi shumë të rëndësishëm për të rinjtë. Gashi foli edhe për projektet të cilat do t'i përfundojë gjatë mandatit të tij, si ministër i MKRS-së. Sipas Gashit, Kosova do të bëhet edhe me objektin e ri të baletit, teatrit dhe operës.

Gashi prezantoi edhe një varg projektesh që do të realizohen nga kjo ministri, siç janë: përmbyllja e konkurseve publike për projektet kulturore, hapja e konkursit për botimin e librave etj. Po ashtu, ministri shtoi se këtë vit në kuadër të projekteve kulturore të MKRS-së, ka një rritje të buxhetit prej 10 milionë euro, e cila rritje, sipas tij, ka bërë rritjen e buxhetit në të gjitha institucionet kulturore.

"Kemi një rritje të buxhetit në projektet kulturore e cila kap shifrën prej 10 milionë euro. Kemi rritur buxhetin për të gjitha institucionet e kulturës për vitin 2019. Kosova edhe sivjet do të jetë pjesë e Bienales së Venedikut edhe do të paraqitet denjësisht në këtë aktivitet. Kemi mbështetur edhe pjesëmarrjen e Kosovës në panairin ndërkombëtar të librit", tha Gashi.

Anëtarët e komisionit ngritën shqetësime dhe shtruan një varg pyetjesh në adresë të ministrit, të cilat kishin të bënin me: mosfunksionimin e Këshillit për Trashëgimi Kulturore dhe MKRS-së, listën e aseteve nën mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, shpenzimet e dedikuara për objektet kulturore, monumentet kulturore për të cilat janë shpenzuar para, dhe ende janë në gjendje të rënde, gjendjen e xhamisë në kalanë e Prizrenit etj.

Ministri nga ana e tij u përgjigj në pyetjet e deputeteve duke dhënë sqarimet e nevojshme.

 

 

 

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...