Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme

E Hënë, 25.02.2019




Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, kryesuar nga Vjosa Osmani, kryetare e Komisionit, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën është shqyrtuar Projektligji për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, si dhe Platformën për dialogun mbi Marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Në fillim të mbledhjes, deputetja Doruntinë Maloku, kërkoi që, Platforma për dialogun mbi Marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të hiqet nga rendi i ditës, ngase sipas saj, ajo duhet shqyrtuar, pasi të miratohet Projektligji për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.
Propozimi i deputetes Maloku u hodh në votim, dhe komisioni me shumicë votash vendosi që mbledhja të vijojë me pikat e parapara për këtë takim.
Pas kësaj, komisioni shqyrtoi Projektligjin dhe amendamentet e tij, për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.
Pas shqyrtimit të amendamenteve (2 sosh), komisioni vendosi që, me 5 vota për dhe 4 kundër, këtë projektligj ta procedojë tutje sipas Rregullores së Kuvendit.
Në mungesë kuorumi për votim, ndërkaq, nuk ka kaluar Platforma për dialogun mbi Marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme