Lajmet e fundit
Veseli në Gllogjan: Amaneti i dëshmorëve nuk na lë të lëizim asnjë hap prapa
E Mërkure, 01.05.2019
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sot se amaneti i dëshmorëve nuk lejon që të bëhet asnjë hap prapa, por të ruhet shteti i pavarur e sovran i Kosovës, duke punuar edhe më shumë në zhvillimin dhe përparimin e tij.
Në kujtim të 20-vjetorit të rënies së dëshmorit Agim Selmanaj, kryeparlamentari Veseli tha sot në Gllogjan se vetëm disa javë para shënimit të 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës, anekënd vendit po kujtohen dhe nderohen dhembja, sakrifica dhe të rënët në altarin e lirisë.
"Jemi sot këtu, në Gllogjanin e lirisë, në Gllogjanin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Gllogjanin e Luanit, Shkëlzenit e të dhjetëra dëshmorëve të tjerë, për të kujtuar një hero të Kosovës, një djalë të ri, Agim Selmanaj. Agimi nuk ishte më shumë se 20 vjeçar dhe në vend që të merrte mjetet e mësimnxënies, atij iu desh që të merrte në duar armët e lirisë. Sepse kjo ishte thirrja e atdheut. Në vend që të gëzonte jetën, ai u desh të jepte jetën për lirinë e Kosovës. Ky është çmimi i sakrificës sonë, ky është çmimi i shtetit tonë", theksoi kryeparlamentari Veseli.
Ai shtoi se të gjallëve sot, kjo sakrificë, si amanet i këtyre njerëzve, dëshmorëve e të rënëve si Agimi, nuk i lë që për asnjë hap, për asnjë milimetër të lëvizin prapa.
"Ta ruajmë këtë shtet të cilin e kemi sot dhe të punojmë edhe më shumë, duke e dashur atë, duke punuar ndershmërisht, duke punuar më shumë, që ta zhvillojmë, duke u dhënë mundësi bashkëmoshatarëve të Agimit, sot 20 vjeçarë, të kenë perspektivë edhe më të mirë në shtetin e vet, në tokën e vet. Të gjithë bashkëluftëtarët duhet të ndihen krenarë me veprën e tyre dhe të punojnë më shumë për vendin", tha kryeparlamentari Veseli.