Lajmet e fundit

Seanca e jashtëzakonshme

E Enjte, 28.03.2019




Kuvendi i Kosovës nën drejtimin e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, hapi punimet e seancës së jashtëzakonshme me kërkesë të 42 deputetëve, me të vetmen pikë; Debat parlamentar për situatën e krijuar në arsim pas vendimit të SBASHK-ut për të refuzuar kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës 3-javore, prej 14 - 1 shkurt 2019.
Menjëherë drejtuesi i seancës ia adresoi fjalën deputetit Bilall Sherifi, i cili në emër të 42 deputetëve iniciues bëri arsyetimin e thirrjes së kësaj seance për një debat parlamentar, jo me idenë e linçimit të dikujt, apo arsimit në tërësi, por me idenë e shqetësimit për zëvendësimin e orëve te humbura. Deputeti Sherifi, mes të tjerash theksoi se orët e humbura në arsim nuk duhen trajtuar si orë të humbura për prodhim të rëndomtë të një produkti. Në fund ai theksoi; "që pas debatit të dalim me një rezolutë të përbashkët".
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili mori fjalën ndër të tjera theksoi se; "Jam takuar dy herë me MASHT dhe SBASHK-un. Ka një klimë shumë pozitive për t'u kaluar kjo situatë. Unë do të kisha pas dëshirë, që Kuvendi i Republikës së Kosovës, të autorizojë Komisionin Parlamentar për Arsim, që të mblidhen me SBASHK-un dhe ministrin e Arsimit, i cili është treguar i hapur për të arritur një marrëveshje dhe ta përmbyll këtë çështje", ka thënë Veseli
Më pas ministri i Arsimit në fjalën e tij bëri një rezyme të shkurtër të situatës nëpër të cilën ka kaluar ky problem lidhur me orët e humbura. Ai theksoi rëndësinë e realizimit të programeve mësimore duke theksuar zëvendësimin e orëve të humbura pasi nuk mund të mbyllet procesi vjetor i mësimit pa realizim të programit të plotë të arsimit.
Më pas vijuan diskutimet e deputetëve, të cilët me diskutimet e tyre ishin të fokusuar rreth zgjidhjes së këtij problemi, pavarësisht nga këndvështrimi i diskutimit personal.
Pas diskutimeve të shumë deputetëve fjalën e mori edhe Kryeministri Haradinaj, i cili tha se nuk duhet të jepen deklarata të vrazhda. "Ne duhet të ndalemi dhe t'i kërkojmë sindikatës me respekt t'i kompensojmë orët e humbura. Sindikata ka mirëkuptim t'i kompensojmë orët e humbura pasi është në interesin e mësimdhënësve e edukatorëve", tha Haradinaj.
Në përfundim të kësaj seance të jashtëzakonshme deputeti Sherifi, ka prezantuar rezolutën e deputetëve iniciues për seancën e sotme e cila fton SBAShK-un që gjatë kësaj jave të gjejë mënyrën për kompensimin e orëve të humbura. Për shkak të mungesës së kuorumit drejtuesi i seancës e deklaroi të mbyllur këtë seancë.

Seanca e jashtëzakonshmeSeanca e jashtëzakonshmeSeanca e jashtëzakonshmeSeanca e jashtëzakonshme