Lajmet e fundit
Kryetarja e Komisionit për Integrime evropiane, Blerta Deliu – Kodra, mirëpret mbështetjen e PE-së për liberalizimin e vizave
E Enjte, 28.03.2019
Blerta Deliu - Kodra, kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, ka mirëpritur debatin parlamentar të zhvilluar dje në Parlamenti Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës si dhe vendimin e marrë sot.
Gjithashtu, ka falënderuar euro-deputeten Tanja Fajon, raportuese, për angazhimin dhe punën e saj të vazhdueshme në përkrahje të së drejtës së qytetarëve të Kosovës që t`u jepet mundësia e lëvizjes së lirë pa viza në zonën Shengen.
"Përkundër faktit që institucionet e Kosovës që nga korriku i vitit 2018 kanë përmbushur të gjitha kriteret e paraparë nga Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, përmbushja e të cilave është konfirmuar nga Komisioni dhe Parlamenti Evropian, ka qenë Këshilli ai i cili nuk ka ndërmarrë veprime në këtë drejtim", ka thënë Deliu-Kodra.
Andaj, ky takim në Parlamentit Evropian në Strasbourg, sipas saj, shihet si një mundësi që t`i bëhet presion dhe inkurajim Këshillit që sa më shpejt të marrë një vendim të drejtë për qytetarët e Kosovës, të cilët janë të vetmit qytetarë në Ballkanin Perëndimor që nuk kanë përfituar nga marrëveshja për lëvizje pa viza.
"Madje, mungesa e vendimit të institucionit të BE-së, pra, Këshillit, për lëvizje të lirë, ka frikë se është duke ndikuar në dekurajimin e qytetarëve të Kosovës dhe si rrjedhojë edhe humbjen e besimit në institucionet e BE-së", thuhet në deklaratën e kryetares Blerta Deliu-Kodra.