Lajmet e fundit
Veseli: Pranvera në Kosovë është stinë e dëshmorëve
E Marte, 26.03.2019
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sot në Prekaz se pranvera në Kosovë është stinë e dëshmorëve, stinë e heronjve, të cilët, siç tha ai, në ditët më të rënda për kombin, nuk kursyen as jetën e tyre për lirinë e Kosovës.
Duke folur në manifestimin e mbajtur sot në Prekaz, në shënim të 20-vjetorit të rënies së katër dëshmorëve të lirisë, Beqir Meha, Ilir Lushtaku, Mustafë Qorraj dhe Avdullah Kodra, Kryeparlamentari Veseli tha se Prekazi dhe Drenica ishin në ballë të luftës çlirimtare, ndërsa çdo fshat, çdo lagje dhe çdo familje e saj, ishin pjesë e luftës, nga fillimi deri në fund.
Kreu i Kuvendit të Kosovës tha se dëshmorët ranë që Kosova të ngrihej, të fitojë lirinë e të bëhet pjesë e kombeve të lira.
"Sot ne qëndrojmë krenarë para kujtimit të këtyre heronjve, sepse ëndrra e tyre u bë realitet. Dhe duke nderuar ata, ne zotohemi që ky realitet i Kosovës së lirë nuk ka do të ndryshojë kurrë, në jetë të jetëve: Kosova është çliruar dhe përgjithmonë do të jetë shtet i lirë, i pavarur e sovran, shtet që ecë përpara në rrugën e fuqizimit dhe zhvillimit ekonomik, në rrugën e perspektivës së sigurt euro-atlantike", theksoi Veseli.