Lajmet e fundit

Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion… në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit

E Hënë, 25.03.2019




Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, ka vizituar sot Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Gjatë kësaj vizite, kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, zëvendëskryetari i parë, Hajdar Beqa dhe zëvendëskryetari i dytë, Bahrim Shabani, janë pritur në takim nga Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi.

Qëllimi i këtij takimi ishte mbikëqyrja e zbatimit te Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.

Gjatë takimit, kryetarja Haxhiu theksoi se ky ligj është miratuar vitin e kaluar, por po ka ngecje në zbatim. Ajo tha gjithashtu se në ligj parashihet që të caktohen zyrtarët përgjegjës të cilët do të bëjnë mbikëqyrjen e konfliktit të interesit brenda institucioneve. Në këtë drejtim, deputetja Haxhiu u interesua të dijë nëse janë caktuar këta zyrtarë.

Anëtarët e komisionit shprehën interesim se sa po bëhet fushatë informuese për stafin e këtij institucioni lidhur me këtë ligj.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, njoftoi anëtarët e komisionit se institucioni që ai drejton pranon shumë pak raste të konfliktit të interesit. Ai tha se ky ligj është kundërthënës në raport me ligjet tjera dhe theksoi nevojën e harmonizimit të tyre. Ndërsa për caktimin e zyrtarëve përgjegjës për parandalimin e konfliktit të interesit, ashtu siç e parasheh ligji, ai tha se kjo është përgjegjësi e Këshillit Prokurorial.

Sa i përket informimit dhe trajnimit të stafit, Kryeporkurori Lumezi tha se nuk ka pasur trajnime të tilla.

Në vazhdim ai theksoi se në këtë institucion parandalimi i konfliktit të interesit është i rregulluar me akte nënligjore.

Anëtarët e komisionit do të vazhdojnë takimet në institucionet tjera për të parë nga afër sfidat e zbatimit të këtij ligji.

 

Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion… në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion… në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion… në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion… në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit