Lajmet e fundit

Nga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit

E Marte, 12.03.2019




Kuvendi i Republikës së Kosovës, bazuar në kërkesën e 44 deputetëve nënshkrues, mbajti sot seancë të jashtëzakonshme, lidhur me vendimet e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara.
Seanca është kryesuar nga nënkryetari Xhavit Haliti, (një pjesë u kryesua nga nënkryetari Kujtim Shala), ndërkaq, në emër të iniciuesit të debatit foli deputeti Driton Selmanaj, i cili sqaroi se, për shpenzimet e paparashikuara nuk kanë arritur të marrin ndonjë përgjigjje nga qeveria, duke përmendur me këtë rast, edhe mosraportimin e kryeministrit Haradinaj, në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
Në vijim të fjalës së tij, Selmanaj tha se, qeveria aktuale që nga marrja e mandatit ka filluar me zbatimin e një praktike të keqe për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara, dhe shtoi se, kjo po bëhet pa kritere vlerësuese dhe pa analiza të nevojave që të plotësojnë apetitet elektorale.
Selmanaj shfaqi kritika të shumta për shënimin e 11 vjetorin të pavarësisë nga fondet rezervë, në shumën prej 500 mijë euro për realizimin e projekteve për këtë ngjarje, duke përmendur se para dy vjetësh për këtë ngjarje është ndarë shuma prej 70 mijë euro. Sipas tij, kjo qeveri ka ndarë shtatëfish më shumë buxhet për aktivitete të ngjashme, duke përmendur edhe përzgjedhjen e kompanisë, e cila sipas tij, ka fryrë faturat.
Në fund të paraqitjes së tij, deputeti Selmanaj propozoi miratimin e një rezolute me këtë përmbajtje:
1. Qeveria e Republikës së Kosovës, të ndalë menjëherë praktikën e ndarjes së mjeteve financiare pa kritere dhe pa respektuar ligjin për menaxhimin e financave publike.
2. Në afat prej një jave, qeveria apo zyra e kryeministrit të sjellë në Kuvend një raport të detajuar për procedurat e zhvilluara për përzgjedhjen e kompanive që kanë realizuar aktivitetet dhe një raport me të dhëna specifike për shpenzimet e këtyre mjeteve dhe të fokusohet në tri ngjarjet kryesore, në shënimet e përvjetorëve të pavarësisë(vitit 2018 dhe 2019), si dhe shënimin e 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.
Safete Hadërgjonaj (PDK), fillimisht vlerësoi se ndarjet e rezervave shtetërore nuk e rrezikojnë shtetin, ndërkaq, iu referua historikut të shpenzimeve nga rezervat shtetërore. Ajo nënvizoi se, nga viti 2013 deri në vitin 2017 praktika e shpenzimeve të mjeteve nga fondi rezervë ka qenë e ngjashme, sikurse në kohën kur ishte ministër i Financave Avdullah Hoti dhe kryeministër Isa Mustafa. Ajo tha se ngjarjet duhet të planifikohen përmes kodeve buxhetore, dhe se PDK-ja do të angazhohet që çdo cent të shpenzohet me kujdes, me transparencë, dhe llogaridhënie dhe të respektohet ligji për ndarjen e këtyre mjeteve për ngjarje të caktuara.
Glauk Konjufca (VV), duke dhënë një sërë kritikash drejtuar qeverisë, me theks të veçantë për ndarje të mjeteve financiare për shënimin e 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, tha se, data e Pavarësisë së Kosovës nuk ndryshon dhe kjo qeveri në këtë mënyrë ka vepruar sikur mos ta dijë datën e pavarëisë. "Si është e mundur që këto shpenzime gjithmonë të jenë nga ky fond dhe me lëkundje të madhe financiare dhe askush nuk jep llogari?! Një emblemë e thjeshtë është paguar gati 5 euro, çmimi i së cilës variron nga 50 cent deri në 1 euro. Tenderi i është dhënë ndonjë militanti dhe kjo është e gërditshme", tha Konjufca.
Blerim Kuqi (AAK), duke kritikuar mbajtjen e këtij debati, tha se nuk është shkelur as Ligji për buxhetin dhe as ai për menaxhimin e financave publike dhe kjo i referohet neneve të caktuara. Sipas tij, Kuvendi është dashur të angazhoj për këtë çështje Auditorin e Përgjithshëm që të bëjë auditim për këtë çështje, dhe jo që të thirr seancë të jashtëzakonshme.
Shqipe Pantina (PSD), mes tjerash vlerësoi se mjetet për festa apo përvjetore më mirë do të ishte që të ndahën për kopshte fëmijësh apo për mbrojtjen e mjedisit, duke shtuar në vijim se të dhënat që u prezantuan për shpenzimet nga iniciuesi i debatit, nuk janë fakte të mjaftueshme dhe se Kuvendi duhet që fillimisht t'i posedonte këto fakte, ose, duke i ofruar vet qeveria në Kuvend dhe se miratimi i një rezoloute të tillë është i pamjaftueshëm. Rezoluta sipas saj do të plotësohej mbi filimin e procedurave tjera hetimore.
Ndërsa, Bilall Sherifi, (Nisma) u rezervua të flas për këto çështje, pasi që sipasj tij duhe të dëgjohet fillimisht verisioni i qeverisë dhe mbi bazën e kësaj do të jepen qëndrime.
Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se ka kërkuar auditim të brendshëm për të parë të vërtetën lidhur me këtë çështje. Sa i përket çështjes së shpenzimeve të paparashikuara kjo praktikë ekziston që nga koha e qeverive paraprake, tha ai. Në vitin 2016 tha ai në vijim, janë ndarë mbi 8 milionë, në vitin 2017 janë ndarë mbi 7 milionë. Për shënimin e 11 vjetorit të pavarësisë ai tha se janë shpenzuar vetëm 175 mijë euro dhe paratë e tjera të pashpenzuara do t'i kthehen buxhetit.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se posedon të dhënat kronologjike të shpenzimeve, të bëra gjatë viteve, ndërkaq, lidhur me debatin e sotëm nënvizoi: "Nëse e shikojmë në nivel të shpenzimet atëherë nëpër vite ka qenë mesatarja rreth 8 milionë me ndonjë plus apo minus. Në vitin 2017 dhe në 2018 krahasuar me vitin 2016 ka rënie të shpenzimeve. Dhe, nëse hyjmë në strukturën e kësaj rezerve nëpër vite, ka pasur shpenzime nga rezerva", tha Hamza, duke shtuar se për festimin e pavarëisë janë ndarë shumat me vendim të qeverisë dhe se presin të kenë raport zyrtar nga organizatat buxhetore dhe kur t'i kenë këto të dhëna atëherë ato të bëhen trasparante.
Pas një diskutimi të gjerë të deputetëve, ku u vunë re dallime ndërmjet përfaqësuesëve të pozitës dhe të atyre opozitarë, në mungesë kuorumi për vendim marrje, rezoluta e propozuar nuk është hedhur në votim.

 

 

Nga seanca e jashtëzakonshme e KuvenditNga seanca e jashtëzakonshme e KuvenditNga seanca e jashtëzakonshme e KuvenditNga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit