Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...
E Hënë, 11.03.2019
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, ka mbajtur të hënën mbledhjen e radhës, të udhëhequr nga Ismajl Kurteshi, kryetar, në të cilën u diskutua për gjendjen në arsim.
Kurteshi, në fillim të takimit, theksoi se është krijuar polemikë në mes të MASHT-it dhe SBASHK-ut lidhur me humbjen e tri javëve orë të mësimit në shkolla, të cilat do duhej të zëvendësoheshin. Përkitazi më këtë, ai tha se SBASHK-u e ka shqyrtuar vendimin e MAShT-it, të cilën më pas e ka dërguar në gjykatë. Ndërkaq, gjykata, sipas tij, vendimin e ka shpallur si të pabazë. Gjendjen e krijuar në arsim, Kurteshi, e vlerësoi kaotike. Sipas Kurteshit, situata e krijuar ka bërë që disa shkolla të mbajnë mësim e disa jo.
Anëtarët e komisionit, shprehen opinionet e tyre lidhur me gjendjen e krijuar në arsim, dhe propozuan që në mbledhjen e radhës t'i ftojnë në komision ministrin e MASHT-it dhe përfaqësuesit e SBASHK-ut, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje sa më shpejtë në favor të nxënësve dhe studentëve.
Në vazhdim, komisioni ka formuar grupet punuese për monitorimin e tri ligjeve për sesionin pranveror. Udhëheqëse e Grupit punues për monitorimin e Ligjit për Trashëgiminë Kulturore u zgjodh Arbërie Nagavci; udhëheqëse e Grupit punues për monitorimin e Ligjit për Arsimin Parauniversitar u zgjodh Luljeta Veselaj-Gutaj. Ndërsa, udhëheqëse e Grupit punues për monitorimin e Ligjit për Inspektoratin e Arsimit u zgjodh Teuta Haxhiu.
Komisioni, po ashtu, takoi edhe një grup mësimdhënësish të mësimit klasor, të cilët paraqitën shqetësimin e tyre, lidhur me kategorizimin e koeficientit të mësimdhënësve klasor me atë lëndor. Sipas tyre, ky kategorizim është diskriminues.