Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Buxhet
E Mërkure, 27.02.2019
Komisioni për Buxhet dhe Financa, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Lumir Abdixhiku, kryetar, ka shqyrtuar Raportin vjetor të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2018.
Këtë raport, para komisionit e paraqiti sekretari i përgjithshëm i Kuvendi të Republikës së Kosovës, Ismet Krasniqi, i cili në mënyrë të detajuar ofroi të dhëna dhe sqarimet e nevojshme lidhur me shpenzimet.
Sekretari i Kuvendit, Krasniqi, fillimisht bëri të ditur se, shpenzimet në Kuvend, pavarësisht shumës që mund të arrijnë, mund të realizohen vetëm duke u bazuar në një vendim paraprak nga organet kompetente, përkatësisht, Kryesia e Kuvendit.
Më pas, duke paraqitur të dhënat e shpenzimeve për vitin e kaluar, ai nënvizoi:
" Raporti i buxhetit për vitin 2018, përfshin raportet e buxhetit dhe shpenzimeve sipas SIMFK-së, për programet: 1. Deputetët e Kuvendit 2. Administrata e Kuvendit dhe stafin mbështetës politik".
Në vijim, sekretari Krasniqi, paraqiti këto hollësi lidhur me shpenzimet.
Paga dhe mëditje, nënvizoi ai, janë shpenzuar 6.837.448€, ose 100% e buxhetit përfundimtar, mallra dhe shërbime 1.551.315€ ose 70% e buxhetit përfundimtar, shpenzime komunale 179.444€ ose 91 % e buxhetit përfundimtarë, subvencione dhe transfere 128.312€ ose 100% e buxhetit përfundimtarë, dhe shpenzime kapitale 154.491€ ose 79% e buxhetit përfundimtar.
Po ashtu, sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, njoftoi se, në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, mjetet e ndara për shënimin e Pavarësisë së Kosovës në shumë prej 100,000€, nuk janë shpenzuar. Nuk është shpenzuar, vijoi ai më pas, as shuma prej 30,000€ e mjeteve, e ndarë për auditimin e partive politike, si dhe shuma e ndarë për diplomaci parlamentare në vlerë prej 200,000€.
Të pa shpenzuara, tha ai, kanë ngelur edhe mjetet e ndara për Komisionet parlamentare në shumë prej 82,000€.
Pas kësaj, anëtarët e komisionit kërkuan sqarime lidhur me shpenzimet e paraqitura në raport, për të cilat, po ashtu morën përgjigjet e duhura.