Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së

E Mërkure, 20.02.2019




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesuar nga kryetari i Komisionit, Haxhi Shala, u diskutua lidhur me dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga ana e zyrtarit policor. Me theks të veçantë, për rastin e të miturës në Drenas, e cila dyshohet se është abuzuar nga zyrtari policor në Drenas.
Kryeshefja e IPK-së, Miradije Kelmendi, fillimisht ka kërkuar nga Komisioni që kjo çështje të diskutohet e mbyllur për media, ngase sipas saj, kjo do të dëmtonte hetimet. Anëtarë të Komisionit u dakorduan që një pjesë e këtij takimi të mbahet e mbyllur për media, ndërkaq kryeshefja e IPK-së, shkurtimisht ka informuar Komisionin lidhur me zhvillimet e hetimeve.
Kelmendi tha se jemi në drejtim të zbardhjes së këtij rasti, duke sqaruar se në prokurorinë themelore është dorëzuar kallëzimi penal. Ajo, vlerësoi se do të ketë zhvillime të reja dhe se janë në fazë të hetimeve, ndërkaq, ka dhënë përgjigje në disa nga pyetjet e anëtarëve të Komisionit.
Mes tjerash ajo sqaroi se ka edhe persona tjerë të involvuar në këtë rast dhe se kjo çështje është në procedurë hetimore.
Komisioni vazhdoi mbledhjen me dyer të mbyllura lidhur me këtë çështje.
Në pikën e radhës të rendit të ditës, kryeshefja Kelmendi paraqiti raportin vjetor të vitit 2018 të Inspektoratit Policor.
Gjatë fjalës së saj, Kelmendi dha një pasqyrë të punës gjatë vitit të kaluar të t institucionit që ajo drejton, duke prezantuar të dhëna lidhur me të rastet e paraqitura.
Ajo tha se në krahasim më vitin 2016 dhe 2017, gjatë vitit 2018 ka pasur rënie të rasteve të keqpërdorimeve zyrtare.
Anëtarët e komisionit, nga ana e tyre, ngritën çështje dhe adresuan pyetje lidhur me aspekte të punës së IPK-së, ndërsa vlerësuan se raporti përmban statistika, por do të duhej të ishte më përmbajtësor dhe i hollësishëm.
U vlerësua se mund të dërgohen të dhëna shtesë për t'iu dhënë përgjigje pyetjeve dhe interesimit të deputetëve për çështje të caktuara.

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së