Lajmet e fundit

Veseli: Kosova është e bekuar nga Zoti dhe miqtë e saj

E Diel, 17.02.2019




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në fjalimin e tij në seancën solemne për shënimin e 11 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, tha se shteti i Kosovës është histori e suksesit por edhe e sfidave.

Ai tha se të gjithë përfaqësuesit e institucioneve, kanë për detyrë ta ruajnë Republikën e Kosovës dhe ta bëjmë vend të begatë për qytetarët, për të rinjtë, për punëtorët, minatorët, mjekët, arsimtarët, policët, ushtarët, shërbyesit civilë, për secilin që e ndjen Kosovën atdheun e tij.

"Në besimet fetare, thuhet se njeriu është i bekuar kur ka Zotin në anën e tij. Ndërkaq, në politikën globale, i bekuar është ai shtet që ka botën perëndimore në anën e tij, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E tillë është Kosova, vend i bekuar nga Zoti dhe miqtë", tha ndër të tjera Kryeparlamentari Veseli.

Fjalimi i plotë i Kryeparlamentarit Kadri Veseli:

Të nderuar të pranishëm
Qytetarë të dashur

Sot është dita më e veçantë për popullin tonë. Është ditëlindja e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Ne, që sot jemi në këtë sallë, përfaqësojmë brezin më fatlum të historisë sonë mbi 100 vjeçare.

Ne njohëm e përjetuam dhimbjet e vuajtjet e paraardhëseve tanë.

Por, për dallim nga ta, ne ia dolëm ta bëjmë realitet ëndrrën e tyre më të madhe: lirinë e Kosovës.

Secili prej nesh, kush më shumë e kush më pak, kemi pasur fëmijëri të vështirë, duke ballafaquar ëndrrat për të ardhmen me traumat e robërisë në të cilën u rritëm.

Edhe shtetet, në kush e di sa raste që na i tregon historia, kalojnë nëpër traumat e rritjes së vështirë.

Rritja e tyre është e mbushur me sfida dhe dyshime, por edhe me ëndrra dhe shpresa të mëdha.

As shteti ynë nuk bën përjashtim prej këtyre rasteve.

11 vjet të shtetit tonë të ri - janë 11 vjet të rritjes me vështirësi, sfida dhe suksese të mëdha.

Jam i sigurt se këto suksese, e nesërmja ka për t'i gjykuar si punë të jashtëzakonshme të brezit tonë.

Për aq sa gjykimi do të bjerë edhe mbi lëshimet e qëllimshme.

Kur ne festojmë ditëlindjen, sipas zakonit, rreth nesh mblidhen miqtë tanë më të mirë. Ata na urojnë me fjalët më të zgjedhura, për të ardhmen që kemi përpara.

Kjo gjë ndodh edhe me shtetet.

Ne jemi shtet i vogël, por kemi pasur dhe kemi miq të mëdhenj.

Përkrah nesh kanë qëndruar dhe vazhdojnë të qëndrojnë shtetet më të fuqishme të botës demokratike - Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet tjera perëndimore, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia, Austria, Hungaria dhe shumë shtete të tjera.

E ne sot, të gjithë bashkë, në emër të kombit tonë, në ditëlindjen e 11-të të shtetit tonë të pavarur e sovran, u shprehim mirënjohjen më të thellë këtyre shteteve për mbështetjen e madhe që i dhanë kombit tonë, në arritjen e lirisë, pavarësisë, shtetndërtimit, dhe para dy muajsh - edhe në krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Në besimet fetare, thuhet se njeriu është i bekuar kur ka Zotin në anën e tij.

Ndërkaq, në politikën globale, i bekuar është ai shtet që ka botën perëndimore në anën e tij, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E tillë është Kosova, vend i bekuar nga Zoti dhe miqtë.

Ndërsa ne që jemi në këtë sallë, kemi për detyrë ta ruajmë këtë pasuri dhe ta bëjmë këtë vend të begatë për qytetarët tanë, për të rinjtë tanë, për punëtorët, minatorët, mjekët, arsimtarët, policët, ushtarët, shërbyesit civilë, për secilin që e ndjen Kosovën atdheun e tij.

Të dashur qytetarë të Kosovës
Të nderuar kolegë
Personalitete të nderuara të Kosovës, ambasadorë të vendeve mike dhe mysafirë që sot na keni nderuar me pjesëmarrjen tuaj

Historia e kombit tonë është histori e popujve që kanë vuajtur gjatë dhe me sakrifica kanë arritur lirinë.

Ne e dimë të kaluarën tonë. Nuk e harrojmë atë. Por, as nuk do të lejojmë të mbetemi vetë peng i saj, e as të na mbajë dikush peng.

Ne duam të ardhmen, zhvillimin, mirëqenien, integrimin në BE, NATO, OKB, fuqizimin e partneritetit me miqtë tanë, veçanërisht me ata që na u gjenden pranë dhe na rrinë afër në çdo sfidë.

Duam edhe ndërtim urash komunikimi me ata që nuk na duan, ose kanë gjykim të gabuar për ne.

Por, mbi të gjitha, duam trajtim të dinjitetshëm dhe respekt për ne, si vend europian dhe perëndimor.

Shteti ynë dhe kombi ynë kanë orientime të qarta europiane dhe perëndimore. Dhe, askush nuk ka të drejtë të na nëpërkëmbë vetëm pse sot mendon se mund ta bëjë një gjë të tillë, ose pse ashtu dëshiron të sillet me ne.

Si vend europian, nuk e meritojmë izolimin.

E dimë se kemi të meta, gabime. E dimë se kemi shumë sfida për t'ju bashkuar vendeve të zhvilluara europiane.

Por, askush nuk mund të na i mohojë sukseset si shtet 11-vjeçar.

Me të arriturat që kemi, edhe kështu si jemi sot, Kosova lë prapa shumë nga vendet me traditë qindravjeçare shtetërore.

Nuk u marrim lakmi për mirëqenie dhe infrastrukturë as vendeve përreth.

Ashtu siç nuk jemi aq larg standardit jetësor edhe të vetë disa vendeve brenda BE-së.

Jemi të vetëdijshëm që ende kemi nevojë të përmirësohemi në funksionimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër korrupsionit,që ende kemi shumë për të bërë për perspektiven ekonomike, inovacionin dhe ndërmarrësinë me konkurrencë të barabartë.

Askujt më shumë nuk i kushtojnë këto mangësi dhe deformime sesa shoqërisë sonë, fëmijëve tanë. Por, jemi të vendosur dhe nuk do të ndalemi derisa ta arrijmëqëllimin tonë perëndimor.

Të nderuar të pranishëm

Kosova nuk është dhe asnjëherë s'ka për të qenë strofull e krimit të organizuar, bandave dhe terrorizmit.

Për dy dekada lirie, Kosova ka dhënë shembullin e vet për këtë, duke qenë kampione e veprimit preventiv dhe neutralizues të çdo veprimi të tillë, në vend ose nga qytetarët tanë jashtë.

Kështu do të jetë edhe në të ardhmen.

Në reformat në sistemin e drejtësisë, së bashku me partnerët perëndimorë, jemi duke bërë veprimet më të duhura.

Më herët, në standardin e drejtësisë së kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare, Kosova, si vendi më i vogël, më i robëruar, me masakrat e tmerrshme të përjetuara në këtë pjesë të Europës, ka jetësuar edhe një Gjykatë Speciale - e cila do ta trajtojë çfarëdo krimi të pretenduar në luftën e fundit në baza një-etnike.

Historia mund të na gjykojë si të dojë për këtë dhe dashakëqijtë mund të flasin si të duan.

Por, po, ne e kemi bërë këtë Gjykatë. Edhe sot e them, është dashur ta bënim, sepse asnjëherë nuk do ta vinim fatin e cilitdo individ në Kosovë para interesit të shtetit.

Do ta kryejmë edhe këtë sfidë me dinjitet.

Mirëpo, një gjë duhet të mos tentohet as minimalisht të ngatërrohet: Agresori dhe krimi dihen. I dimë ne dhe gjithë bota. Ajo është veç Serbia dhe forcat e saj ushtarake.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet forca më e pastër çlirimtare në luftën e popujve për liri dhe drejtësi.

Duke pasur parasysh këtë, edhe sot thërras të gjithë bashkëluftëtarët që t'i përgjigjen me dinjitet kësaj Gjykate, sepse më i madh se fati i secilit prej nesh është fati i kombit dhe shtetit tonë.

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës
Të nderuar kolegë

Në muajt e fundit, keni parë iniciativat e SHBA-së dhe BE-së për një proces përfundimtar të Dialogut.

Serbia, deri më sot, nuk ka treguar racionalitet në këto përpjekje për normalizim raportesh me Kosovën.

Dialogu me Serbinë nuk është popullor dhe u kushton politikisht atyre që përfshihen në këtë proces.

Por, tani, me kërkesën e vendosur të SHBA-ve dhe BE-së, ne duhet të vendosim drejt - mes asaj që çfarë fitojmë si parti politike dhe asaj çfarë fiton kombi dhe shteti ynë.

Çdoherë kur kemi vënë përpara interesin e vendit dhe racionalitetin shtetëror, kemi pasur sukses.

E kaluara e dëshmon më së miri këtë.

Gati 100 vjet kemi derdhur gjak, por nuk ia kemi dalë ta heqim qafesh robërinë. Nuk ia kemi dalë, sepse ishim të vetmuar, nuk kishim miq dhe zëri ynë nuk dëgjohej aty ku merreshin vendimet e mëdha politike për ne.

Gati 100 vjet kemi luftuar që të afrohemi me botën perëndimore, të jemi pjesë e aleancave të saj.

Në luftën e fundit e kemi arritur këtë.

E arritëm në Rambuje, dhe e vazhduam edhe më mirë në Vjenë - kur kurorëzuam shtetin të cilin e gëzojmë dhe për të cilin festojmë sot.

Me të tjera sjellje, a do të mund t'i arrinim këto suksese?

Përgjigjen e dimë secili prej nesh.

Të dashur qytetarë

Në Dialog nuk shkojmë vetëm për marrëveshje me Serbinë.

Ne Dialog shkojmë, sepse rruga jonë, përcaktimi ynë,ështëqë çdo mosmarrëveshja ta zgjidhim në mënyrë paqësore.

Dhe, po ashtu, si shtet i pavarur dhe sovran, marrim mbi vete edhe obligimet që përmban për ne ky sovranitet karshi rajonit dhe partnerëve tanë strategjikë si SHBA-të dhe BE.

Ideja e paqes afatgjate dhe eliminimi i ndikimit rus në rajon - nuk është interes vetëm i partnerëve tanë perëndimorë, në krye me SHBA-të, por është edhe interes strategjik yni.

Ky është orientimi ynë.

Në këtë proces, kalkulimet elektorale, qasjet individuale, protagonizmat dhe inatet - nuk po i bëjnë mirë Kosovës.

Është koha t'i lëmë këto.

Mund të fitojë individi ose partia në një moment, mbase mund të fitohet edhe pushteti, por sjelljet e tilla nuk çojnë askund. Përkundrazi, ato rrezikojnë një komb, një shtet; në këtë rast - kombin tonë, shtetin tonë.

Është koha për vendimmarrje me mençuri dhe urtësi.

Dialogu i brendshëm dhe konsensusi - janë ligj i shteteve parlamentare.

Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar përballë Serbisë.

Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar përballë Serbisë, sepse përtej dallimeve të ekzagjeruara për shkaqe elektorale, ne kemi një qëllim të njëjtë:

- Fuqizimin e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës.

- Përfundimin e mosmarrëveshjeve me Serbinë.

- Njohjen prej saj të shtetit të pavarur të Kosovës.

- Anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

- Hapjen e perspektivës konkrete për t'u bërë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Mbi të gjitha, ne duhet të jemi bashkë sot përballë Serbisë - për të mos ua lënë fëmijëve tanë nesër fatin tonë të rëndë të së kaluarës.

Disa fjalë edhe për taksën...

Serbia e ka merituar dhe e meriton taksën, për shkak të sjelljeve të saj karshi nesh.

Largimi i saj është i panegociueshëm, për shumë arsye.

Por, përmbi emocionet e taksës ndaj Serbisë, dua të flas për urgjencën e racionalitetit shtetëror.

Vendimmarrja shtetërore nuk duhet të jetë as përgjegjësi dhe as kritikë individuale.

Në vendimmarrje shtetërore, asgjë nuk duhet të ketë personale. Pra, edhe ky vendim, si çdo vendim tjetër për Kosovën, duhet të jetë shtetëror, institucional.

Duhet t'i vëmë në peshojë interesat strategjike të shtetit tonë përballë Serbisë, duke marrë parasysh edhe reflektimet për faktorët determinues të botës që na rrethon; Rusisë me aleatë në njërën anë, dhe SHBA-së e BE-së në anën tjetër.

Me SHBA-të dhe BE-në në krah, Kosova është më mirë dhe më e sigurt.

Interesat strategjike dhe gjeopolitike perëndimore dhe amerikane në Ballkan përputhen plotësisht me interesat e Kosovës dhe kombit tonë. Andaj, Kuvendi dhe Qeveria duhet t'u qëndrojnë prapa zotimeve të përbashkëta Kosovë - SHBA dhe BE.

Në të kundërtën, Kosova nuk fiton.Ndërsa, Serbia rehabilitohet.

Sa i përket kësaj situate të ndjeshme dhe ndërlidhjes së saj me mandatin e Qeverisë, dua t'i siguroj qytetarët se, si lider i koalicionit qeverisës, nuk do të lejoj për asnjë moment që relacioni ynë me Serbinë ta përcaktojë stabilitetin dhe fatin e institucioneve tona, pra as të Qeverisë së Kosovës.

Pra, Qeveria e Kosovës nuk do të bjerë për shkak të taksës. Ky është qëndrimi im i vendosur.

Qeveria dhe Kuvendi mund të bien vetëm për shkak të interesave të qytetarëve të Kosovës dhe partnerëve të tyre strategjikë si SHBA-të dhe Bashkimi Europian.

Në fund, të dashur qytetarë, duke jua uruar Festën e Pavarësisë, dua t'ju them të gjithë juve, kudo që jetoni, në atdhe e diasporë:

Në këtë botë, shumë gjëra ndryshojnë. Ndryshojmë edhe ne njerëzit. Ndryshojnë edhe idetë dhe bindjet tona.

Por, në Kosovë një gjë kurrë s'ka për të ndryshuar: VERDIKTI I 17 SHKURTIT 2008.

SHTETI I KOSOVËS KA LINDUR, SI SOT 11 VJET MË PARË, PËR TË QËNDRUAR PËRGJITHMONË GARDIAN I LIRISË DHE PAVARËSISË SË KOSOVËS.

Urime Dita e Pavarësisë.

Lavdi atyre që ranë për këtë ditë të madhe: dëshmorëve të kombit!

 

Veseli: Kosova është e bekuar nga Zoti dhe miqtë e saj Veseli: Kosova është e bekuar nga Zoti dhe miqtë e sajVeseli: Kosova është e bekuar nga Zoti dhe miqtë e saj