Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet

E Mërkure, 13.02.2019




Komisioni për Buxhet dhe Financa, kryesuar nga Lumir Abdixhiku, kryetar, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën kanë raportuar përfaqësuesit e Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), përkatësisht Ruxhdi Morina, kryesues i Bordit dhe drejtori menaxhues, Adrian Zalli.
Raporti kishte të bënte me zhvillimet e fundit lidhur me mjetet pensionale në tregjet financiare, për të cilat, përfaqësuesit e këtij institucioni para komisionit, njoftuan në hollësi.
Me këtë rast, përfaqësuesit e FKPK-së, duke folur për investimet e këtij fondi në tregjet ndërkombëtare, treguan se, për shkak të ndikimit negativ në tregjet ndërkombëtare, ky fond ka pësuar rënie pre 84 milionë euro. Kjo, u shprehën përfaqësuesit e FKPK-së, është si pasojë e ndikimit negativ të tregut financiar kudo në botë.
Ndërkaq, duke iu referuar të dhënave për muajin e parë të këtij viti, lidhur me investimet e këtij fondi në tregjet ndërkombëtare, Morina dhe Zalli raportuan se performanca e gjertanishme është pozitive dhe arrin shumën në 55 milionë euro.
Anëtarët e komisionit, nga ana e tyre u angazhuan dhe kërkuan nga përfaqësuesit e FKPK-së, që të hartojnë një strategji, e cila fondin e pensionistëve do ta mbronte nga zhvillimet me trend negativ që mund të ketë në fondet financiare ndërkombëtare.
Po ashtu, anëtarët e komisionit u angazhuan dhe kërkuan që të merren masa që, pensionistët e rinjë, të mos pësojnë nga rënia e vlerës së mjeteve financiare, nga kriza që mund të shfaqet në tregjet financiare ndërkombëtare.
Pas kësaj, komisioni formoi Grupin Punues për shqyrtimin e Projektligjit nr.06/L-137 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-174 për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-058 dhe Ligjin nr.04/L-122, si dhe Ligjin nr.03/L-073 për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.03/L-256, ndërkaq, vlerësoi se Ligji nr.05/L- 042 për rregullimin e shërbimeve të ujit, sipas amendamente të Komisionit funksional për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, nuk bartë kosto shtesë buxhetore.

Mbledhja e Komisionit për Buxhet