Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Mërkure, 30.01.2019
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka mbajtur sot, (e mërkurë), mbledhjen e rregullt, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, në të cilën është vendosur që seanca plenare e radhës të mbahet të shtunën, më 2 shkurt, në ora 10:00.
Në këtë seancë do të shqyrtohet në lexim të dytë Projektligji mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019, si dhe Propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për zgjatjen e ndarjeve buxhetore për muajin shkurt të vitit 2019, të përcaktuar me Ligjin nr.06/L-20 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018.
Po ashtu në këtë seancë do të shhqyrohen edhe këto projektligje me rëndësi të veçantë: Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura; Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për zyrtarët publik; Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për pagat në sektorin publik; Shqyrtimi i parë i Projektligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetërorë të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë; Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-174 për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-058 dhe Ligjin nr. 04/L-122, si dhe Ligjin nr. 03/L-073 për zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 03/L-256.
Pikë e rendit të ditës për këtë seancë është caktuar të jetë edhe shqyrtimi i Propozimit për formimin e Komisionit Ad Hoc për përpilimin e Kodit për rregullimin dhe menaxhimin e fushës së pensioneve dhe beneficioneve nga sigurimi social, si dhe shqyrtimi i Propozim-Statutit të Shoqërisë Aksionare "Trepça" Sh.A.