Aktivitetet e transparencës së Kuvendit
Kuvendi shënoi Ditën e Fëmijëve
Veseli: 1 Qershori është ditë e gëzimit të tuaj, por edhe ditë e llogaridhënies sonë si prind, edukatorë, por edhe si institucione Rreth 800 fëmijë vizituan Kuvendin e Kosovës, ndërsa në sallën e mbledhjeve plenare, nxënës nga komuna të ndryshme të Kosovës mbajtën takimin e udhëhequr nga vet ata Në kuadër të shënimit të 1 Qershorit - Ditës së Fëmijëve, në bashkëpunim me UNICEF-in, institucione dhe organizatat e tjera partnere, në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit të Kosovës është mbajtur një seancë e veçantë nga nxënës prej komunave të ndryshme të Kosovës, e emërtuar "Vendosja e fëmijëve në rend të parë". Në fjalën e tij para nxënësve, kryetari Veseli tha se "1 qershori është ditë e gëzimit të tuaj, por edhe ditë e llogaridhënies sonë si prind, edukatorë, si institucione se çfarë jemi duke bërë për mirëqenien tuaj, edukimin tuaj, lumturinë tuaj". Niveli i zhvillimit të një shoqërie, shtoi kryetari Veseli, tregohet më së miri me faktin se sa respektohen të drejtat e fëmijëve të saj, dëshirat dhe ëndrrat e tyre. Veseli tha se deri më tani Kuvendi i Kosovës ka nxjerrë dy ligje që në mënyra të ndryshme prekin edhe të drejtat e fëmijëve: Ligjin për familjen dhe Ligjin për shërbime sociale dhe familjare. "Por kjo nuk mjafton. Ky ligj është në procedurë, por është i domosdoshëm garantimi i fondeve që mundësojnë zbatimin e plotë të këtij ligji. Ne i kemi të gjitha mundësitë për ta bërë këtë. Ju jap fjalën se do ta bëjmë. Do të ngrisim një komision për monitorimin e vazhdueshëm të zbatimit të këtij ligji dhe nevojat që dalin për përmirësimin apo plotësimin e tij", theksoi kryeparlamentari Veseli. Ai shtoi se fëmijët tanë kanë të drejtë ta jetojnë fëmijërinë e tyre larg dhunës e abuzimit, larg frikës, larg përfshirjes në punët e rënda për mbajtjen e familjes, larg mohimit të ëndrrave të tyre fëmijërore. "Një fëmijëri e mohuar do të thotë një e ardhme e pasigurtë për individin, familjen dhe vet shoqërinë. Prandaj investimi në të drejtat e fëmijëve është një nga investimet më kapitale që një shoqëri mund të bëjë për të ardhmen e saj. Secili prind, mbi të gjitha, dëshiron t'i shoh fëmijët e tij të ushqyer mirë, të veshur mirë, të edukuar mirë dhe me shërbime shëndetësore cilësore. Ne si institucione kemi për obligim që t'u mundësojmë fëmijëve të Kosovës të krenohen me prindërit e tyre dhe atdheun e tyre. Gëzimi në fytyrat e fëmijëve është treguesi më i mirë për një shoqëri të lirë, demokratike e të zhvilluar", theksoi kryetari Veseli. Më një fjalë rasti fëmijëve iu adresua edhe ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, i cili potencoi se po punohet që ëndrrat e nxënësve të bëhen realitet, nëpërmjet shkollave dhe universitete më të mira, si dhe duke siguruar mirëqenien e familjeve të tyre. Në këtë takim, foli, po ashtu, edhe shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Laila Omar Gad. Fëmijët, ndërkaq, trajtuan tema që lidheshin me të drejtat e tyre dhe zbatimin i legjislacionit që garanton përmbushjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë. Takimi u përmbyll me një fjalë të deputetes Flora Brovina, e cila u angazhua që të adresojë dhe përcjellë tek kolegët e tjerë kërkesat e shprehura të fëmijëve. Aktivitet në kuadër të kësaj dite vazhduan me vizita të tjera të fëmijëve. Rreth 800 nxënës nga e gjithë Kosova vizituan mjediset e Kuvendit dhe u takuan me përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve, duke shënuar kështu edhe aktivitetin kulmor në kuadër të "Javës së fëmijëve në Kuvend".