Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione

E Marte, 16.04.2019




Komisioni për të drejtat e njeriut, barazi gjinore, persona të pagjetur dhe peticione, të cilin e kryesoi deputetja zonja Duda Balje, e mbajti sot takimin e radhës në të cilin pika kryesore e rendit të ditës ishte: Siguria, shëndeti dhe kushtet e punës në sektorin privat të Kosovës si dhe gjendja aktuale në lidhje me Koncept dokumentin dhe Projektligjin për Skemat Financiare të Financuara nga Shteti.

Në këtë takim, krahas anëtarëve të Komisionit, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale në krye me Ministrin Skënder Reçica, si dhe përfaqësuesit e HENDIKOS - it dhe OJQ-së AVONET.


Në këtë takim duke folur lidhur me sigurinë, shëndetin dhe kushtet e punës në sektorin privat në Kosovë, Ministri, theksoi se situata në teren nuk është e volitshme dhe se në atë kuptim kjo Ministri së bashku me Inspektoratin e punës mundohet që në vend të parë, përmes informimit të rregullt dhe këshillimeve shtesë të kontribuojë që në vendin e punës të ndodhin sa më pak lëndime dhe fatkeqësi me fatalitet. Në vazhdim, Ministri, tha se në Kosovë aktualisht funksionojnë rreth 60.000 biznese dhe se Inspektorati i punës me 47 inspektorë nuk ka mundësi që të kontrollojë këtë numër kaq të madh të bizneseve dhe se kjo gjendje në terren do të përmirësohet kur ka fundi i vitit do ti punësojmë edhe 20 inspektor të rinj të punës. Në fund të fjalës së vet ai tha se gjatë vitit 2018 Inspektorati i punës në Kosovë ka realizuar mbi 10.000 inspektime te bizneset në terren dhe se kjo Ministri e ka iniciuar formimin e një fondi të veçantë shoqëror i cili materialisht do t'i ndihmojë punëtorët dhe familjarët, në rast të lëndimit apo vdekjes në vendin e punës.

Në vazhdim, duke folur për gjendjen aktuale rreth Koncept dokumentit dhe Projektligjit mbi Skemat Pensionale të financuara nga shteti, Ministri theksoi se gjatë vitit 2018 kjo Ministri e ka miratuar dhe dërguar Qeverisë Koncept dokumentin me të cilin rregullohet në mënyrë të re skema pensionale e të gjitha kategorive që financohet nga shteti. Në Koncept dokument hynë gjithsej 8 ligje dhe 22 skema të cilat në mënyrë plotësisht të re i rregullojnë të gjitha skemat e të gjitha kategorive që financohen nga shteti.


Në fund të këtij takimi, anëtarët e Komisionit ia parashtruan Ministrit një varg pyetjesh në të cilat ai u përgjigj.

 

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione