Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Premte, 31.05.2019
Sot, Komisioni për Integrime Evropiane, kryesuar nga Blerta Deliu, kryetare mbajti mbledhjen e radhës, në të cilën ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, foli për Raportin për vendin për vitin 2019.
Ministrja Hoxha theksoi se ky raport ka dalë nga zyra e BE-së, dhe si i tillë vlerëson të arriturat, ngecjet si dhe sfidat në shumë fusha për vendin.
Tutje, Hoxha sqaroi anët pozitive dhe anët negative që identifikon raporti.
Sa i përket anëve pozitive, Hoxha u shpreh se në bazë të gjetjeve ka një varg të arriturash sa i përket kritereve politike dhe ekonomike. Ndër to përmendi të arriturat në fushën e kornizës ligjore, punës së Kuvendit, miratimit të udhëzimeve, ligjit të pagave, ekonominë e tregut konkurrente me vendet e BE-së, zbatimin e masave doganore etj.
‘'Në kriteret politike dhe ekonomike kemi shënuar progres", theksoi Hoxha.
Po ashtu, ministrja Hoxha paraqiti edhe anët negative të raportit, ndër të cilat përmendi korrupsionin, krimin e organizuar, ndikimet politike, dënimet e ulëta, përbërjen e qeverisë me numër të madh të zëvendësministrave etj. Ajo bëri të ditur se do të mbahet një takim i Këshillit Ndërministror, me qëllim të shqyrtimit të Raportit.
"Të hënën do të mbahet një takim i Këshillit Ndërministror për t'i shpalosur të gjeturat e raportit'', shtoi më tej Hoxha.
Fjalën gjithashtu e morën edhe deputetët e komisionit, të cilët paraqitën shqetësimet, vërejtjet dhe sugjerimet në lidhje me të gjeturat e raportit në fjalë.
Gjithashtu, komisioni shqyrtoi dhe përkrahu Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr.04/L-008 për këshillin ekonomiko - social, me amandamentet e komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.