Lajmet e fundit

Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion…në Këshillin Gjyqësor të Kosovës

E Premte, 10.05.2019




Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, Albulena Haxhiu, dhe zëvendëskryetari i parë i këtij komisioni, Hajdar Beqa, janë takuar sot me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skënder Çoçaj, për të mësuar se sa po zbatohet Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik.
Në takim, deputetja Haxhiu, theksoi se ky ligj është miratuar vitin e kaluar në procedurë të përshpejtuar, si rrjedhojë sipas saj, po paraqiten probleme në zbatimin e tij.
Prandaj, ka thënë ajo, është vendosur që të mbikëqyret ky ligj për të parë më nga afër pengesat dhe sfidat e zbatimit të tij në praktikë.
Me këtë rast, deputetja Haxhiu, është interesuar të di se sa janë të njoftuar me këtë ligj; a janë caktuar zyrtarët përgjegjës sipas këtij ligji, dhe nëse po, kur janë caktuar.
Ndërkaq, kryesuesi Çoçaj ka thënë se është shumë e rëndësishme që po mbikëqyret ky ligj. Ai ka thënë se ky ligj i obligon të gjithë.
Më tej, Çoçaj ka thënë se ky ligj në disa dispozita lë hapësirë për interpretime të ndryshme, duke saktësuar se neni 13 i këtij ligji është i paqartë për interpretim.
Edhe anëtari i KGJK së, Armend Berisha, ka thënë se këtij ligji nuk i është bërë një analizë e mirëfilltë.
Ai ka treguar se është caktuar një zyrtar përgjegjës për këtë çështje, në kuadër të Sekretariatit Gjyqësor.
Në këtë kontekst, Berisha ka bërë me dije se para hyrjes në fuqi të këtij ligji, KGJK ka reflektuar në çdo rregullore që të parandalojë situatën konfliktin e interesit.
Gjatë takimit u tha se shqetësues është problemi hierarkik i normave, konkretisht fakti se a duhet të trajtohet si ligj special apo si ligj gjeneral, ngase ka konflikt të ligjeve.
Megjitatë u tha se Ligji për Pagat ka qartësuar shumëçka.
Edhe deputeti Hajdar Beqa, ka thënë se ky ligj bie në kundërshtim me disa ligje të tjera, andaj, sipas tij, edhe është vendosur të mbikëqyret se si po zbatohet në praktikë.
Në fund të këtij takimi, anëtarët e komisionit kërkuan që të jepet kontribut i dyanshëm për të dyja institucionet në bërjen e ligjeve, por edhe në zbatimin e tyre në praktikë.

Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion…në Këshillin Gjyqësor të Kosovës