Lajmet e fundit

Nga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit

E Hënë, 24.06.2019




Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës, mbajti seancë të jashtëzakonshme për shqyrtimin e Raportit Hetimor në lidhje me deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova, me 28 mars të vitit 2018.

Xhelal Sveçla, kryetar i Komisionit Hetimor, gjatë paraqitjes së tij para deptuetëve, tregoi se raporti ka kaluar nëpër katër faza, deri te forma përfundimtare e tij.

Ai tha se raporti konstaton se gjatë deportimit dhe procedimit të shtetasve turq kanë ndodhur 31 shkelje ligjore, e po ashtu, sipas tij, theksohet edhe dështimi i institucioneve si: Presidencës, AKI-së dhe Policisë.

"Për shkak se disa prej shkeljeve kanë rezultuar si pasojë e mangësive të disa ligjeve në fuqi, pjesa e 5-të e raportit ofron disa rekomandime për Kuvendin", theksoi Sveçla.

Driton Selmanaj, përfaqësues i Grupit Parlamentar të LDK-së, tha se ky rast përbën një ndër shkeljet më të mëdha të funksionimit të rendit kushtetues dhe shtetit ligjor, si dhe vë në pah, siç tha ai, moskoordinimin e akterëve kyç për trajtimin e këtij rasti.

"Policia ka hequr dorë nga mandati për të kryer operacionin policor, ndërsa AKI-ja ka marrë autorizime policore, duke tejkaluar kompetencat e saj. Shteti me vetëdije kryen shkelje penale'', theksoi Selmanaj.

Sipas deputetit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Hajdar Beqa, komisioni hetimor përveç që ka vepruar në kundërshtim me ligjin, ka përpiluar një raport, nëpërmjet të cilit ka bërë publikimin e disa informatave të rëndësishme, që, sipas tij, janë në kundërshtim me ligjin për hetim parlamentar, duke kërkuar nga prokuroria që ta zbardhë rastin.

"Raporti është lëshuar shumë në detaje dhe nuk është etike të ketë aq shumë detaje. Prokuroria të zbardhë sa më shpejtë rastin, por të mos bazohet në raportin tonë", theksoi Beqa.

Në emër të Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca raportin e Komisionit Hetimor e sheh si test për drejtësinë, duke u bazuar në atë që përveç AKI-së dhe Presidencës, edhe gjyqësori ka qenë përfshirë në deportim.

"Dëbimi i shtetasve turq është skandaloz dhe përgjegjësia mbi këtë rast ka mbetur të vërtetohet, prandaj raporti duhet të kalojë", ka thënë Konjufca.

Grupi Parlamentar i AAK-së, përfaqësuar nga deputeti Muharrem Nitaj, raportin e vlerësoi si shumë të saktë dhe korrekt njëkohësisht, me gjetjet e tij, siç tha Nitaj, mjaft të qëndrueshme, duke bërë thirrje për deputetët që njëzëri ta votojnë atë.

"Komisioni Hetimor nuk ka arritur të argumentojë se kush janë urdhërdhënësit e këtij deportimi", theksoi Nitaj.

Frashër Krasniqi, në emër të Grupit Parlamentar PSD-së, tha se në emër të sigurisë kombëtare është krijuar një precedent shumë i rrezikshëm, duke shkelur ligjin, prandaj, sipas tij, ky raport duhet votuar, në mënyrë që Kosova të rreshtohet me shtetet që i respektojnë të drejtat dhe liritë e njeriut.

"Me rastin e deportimi të shtetasve turq u suspendua Kushtetuta, Prokuroria, Gjykata, Policia dhe se ky rast është proces politik", theksoi Krasniqi.

Përfaqësuesi i Grupit Parlamentar NIMSA, Haxhi Shala, theksoi se me rastin e deportimit, ka ndodhë një përzierje kompetencash midis institucioneve dhe se nuk është dhënë përgjigje për shtetin turk, prandaj. Raportin e komisionit, Shala e vlerësoi të përpiluar mirë.

"Ky rast ka bërë revokimin me automatizëm të lejeqëndrimit të shtetasve turq", theksoi Shala.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Grupit Parlamentar 6+, Fitim Damka, duke folur për raportin në fjalë, konsideroi se ky raport është fatal dhe dështim juridik, i cili, sipas tij, ka për qëllim ta ulë reputacionin e shtetit. Ai tha se ky raport nuk duhet të miratohet.

"Ky raport ka për qëllim dëmtimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Turqisë" theksoi Damka.

Seanca vazhdoi punimet me diskutime të deputetëve të tjerë, të cilët paraqitën qëndrime të ndryshime përkitazi me raportin e komisionit dhe ngjarjen e 28 marsit të vitit të kaluar.

Pas shterjes së debatit, me 59 vota për, 2 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi miratoi raportin e Komisionit hetimor.

 

 

Nga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit