Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 20.03.2019
Komisioni për Buxhet dhe Financa ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, të cilën e ka drejtuar Lumir Abdixhiku, kryetar.
Në këtë mbledhje është shqyrtuar Raporti Vjetor i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik(OSHP), për vitin 2018, ku kanë marrë pjesë edhe Blerim Dina, kryetar i këtij institucioni dhe Agim Sheqiri, zyrtar i financave.
Por, ky raport së bashku me shkresën nr.198/19, datë 26.02.2019, të kryetarit dhe dy anëtarëve të OSHP-së, dërguar në Kuvendin e Kosovës, nuk ka kaluar për procedura të mëtejme, në mungesë të vendimmarrjes.
Anëtarët e këtij komisioni kanë shqyrtuar dhe votuar Projektligjin nr.06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike dhe amendamentet e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, kurse është shtyrë për një nga mbledhjet e radhës shqyrtimi i Kërkesës nr.00255/19/shs, datë 11 mars 2019, të Drejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës për caktimin e lartësisë së koeficientit dhe të pagës së Drejtorit dhe Zëvendës-Drejtorit të kësaj Agjencie.
Për në një mbledhje të radhës është shtyrë edhe votimi i Raportit vjetor të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2018.
Anëtarët e komisionit janë pajtuar që Blerim Kuqi dhe Ali Lajçi ta drejtojnë Grupin punues për hartimin e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2020-2022.