Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

E Mërkure, 20.03.2019




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kyetarja Blerta Deliu- Kodra, raportoi ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, lidhur me zbatimin e Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit (PKZMSA) dhe Agjendës për Reforma Evropiane (ERA).

Fillimisht kryetarja e Komisionit, Blerta Deliu, sqaroi se nga raporti final për PKZMSA-në për vitin 2018, ministria e Drejtësisë ka përmbushur 65.79 për qind të masave. Kjo, sipas saj është një shifër e mirë sa i përket zbatimit të PKZMSA, ndërkaq kërkoi sqarime nga ministri Tahiri lidhur me obligimet që ka kryer kjo ministri.

Sa i përket sundimit të rendit e ligjit, Deliu- Kodra tha se përpjekjet e institucioneve nuk duhet të përfundojnë në këtë proces. Ndërsa, duke përmendur publikimin e raportit nga Departamenti Amerikan i shtetit, tha se në këtë raport janë identifikuar korrupsioni, krimi i organizuar dhe perfomanca e dobët nga institucionet tona. Deliu shtoi se kjo duhet të shërbejë si alarm për të luftuar këto dukuri dhe se duhet të adresohet çështja e krimit e korrupsionit.

Ministri Tahiri gjatë fjalës së tij mbi të arriturat dhe ecurinë që ndërlidhen me planin kombëtar të zbatimit të MSA-së, tha se ministria e Drejtësisë ka arritur mbi 60 për qind të implementimit të Planit Kombëtar të zbatimit të MSA-së dhe kjo sipas tij është inkurajuese.

Në vijim, duke dhënë përgjigje për anëtarë të Komisionit në çështje që u ngritën, ai foli për ligjet të cilat kanë hyrë në fuqi të cilat ndërlidhen me fushën e gjyqësorit, si dhe për reformat tjera në kornizën ligjore.

Mes tjerash u diskutua edhe për trajtimin e grave në qendrat korrektuese, për çështjen e paraburgimeve të gjata, trajtimin e rasteve të viktimave të dhunës seksuale, çështjen e noterëve dhe përmbaruesve privatë, zbatimin e Ligjit për Konfiskimin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë, dhe një sërë çështjesh tjera.

Ministri Tahiri tha se vendimet jo të drejta të cilat merren nga gjyqtarët janë si pasojë e përvojës së vogël të gjyqtarëve, duke sqaruar se gjysma e tyre kanë më pak se 5 vite përvojë.

Ndërkaq, sa i përket Kodit Civil, ai tha se gjatë muajit qershor të këtij viti do ta sjellin për lexim të parë në Kuvend.

 

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane