Lajmet e fundit

Kuvendi mbajti seancë të veçantë, për nder të Epopesë së UÇK-së

E Mërkure, 06.03.2019




Kuvendi i Republikës së Kosovës, me rastin e shënimit të 21-Vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbajti seancë të veçantë.

Fillimisht, fjalën e mori kryeministri Ramush Haradinaj, i cili tha:

"Sot, përkujtojmë me respekt sakrificën sublime dhe përulemi para veprës dhe varreve, ku pushon Komandanti Legjendar, Adem Jashari dhe familja e Tij, edhe themi URIME për ringjallje, sepse në marsin e '98-ës, një familje u shua, në mënyrë që të ringjallet një popull i robëruar dhe në gjirin e tij u rikthye sërish Familja Jashari.

Në Prekaz, falë sakrificës supreme dhe të paarritshme për liri, të Jasharëve ka ndodhur kthesa historike. Sakrificë e paarritshme në madhështinë e saj, që ia rriti zanin thirrjes së shqiptarit të shkelur në përmasa botërore. Jasharët e dhanë krejt çka kishin të tyren për ne dhe për atë ç ‘është e jona.

Adem Jashari ishte zemra e orës shqiptare që lëvizi përpara akrepat e historisë, duke ndryshuar epokat.

Kur mbi Kosovën ra muzgu ai zgjoi agun, se ai zgjohej kur të tjerë binin.  Kur disa kërkonin shtigje - ai çelte  rrugë.

Prandaj sot, të gjithë ne, liderë institucional dhe opozitar, siç ishim bashkë dje në përpjekjet për liri, siç jemi bashkë sot në kujtesë të Epopesë së Jasharëve, duhet të bashkohemi nesër e kurdo për të drejtën tonë, sepse ia kemi borxh atdheut, ia kemi borxh Kryekomandantit.

Falë Komandantit legjendar dhe Familjes Jashari, pas mija vjetëve histori, Kosova i ka miqtë e përjetshëm, ka ShBA-në dhe aleatët, por e ka edhe rreshtin e vet, ushtrinë e mandatuar nga Ju, deputetë të nderuar.

Kosova ka sot më shumë siguri dhe liri për vete. Kosova sot i bënë të ndjehen të lirë të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Kosova sot iu bëhet krahë ushtrive dhe popujve për të ndihmuar lirinë dhe paqen në botë.

Lavdi e përjetshme Jasharëve dhe të gjithë brezave të luftëtarëve shqiptarë që ranë për liri!

Në vazhdim të seancës, Kryeparlametari Kadri Veseli, iu drejtua deputeteve, me këtë fjalim:

"E nderuara Familje Jashari,
Të nderuar të pranishëm,
Qytetarë të Republikës së Kosovës,

Janë disa ngjarje që bartin peshën e ndërrimit të epokave.

Ato shënojnë ndarjen e së tashmes prej të së shkuarës, duke hapur shtigje të reja nëpër të cilat ecin popujt dhe shtetet.

Një peshë të tillë e ka 5 marsi i vitit 1998.

Atë ditë në Prekaz po ndryshonte historia e kombit tonë.

Kosova po niste rrugën e pakthim drejt lirisë dhe pa dyshim simboli më unik i kësaj rruge ishte Adem Jashari dhe familja e tij martire.

Lufta dhe rënia e tyre, sakrifica e tyre e pashembullt në historinë njerëzore, e vulosën përcaktimin e popullit tonë për liri.

Adem Jashari dhe familja e tij ranë - që kombi ynë të ngritej në këmbë.

Dhe ne u ngritëm!

I madh e i vogël, burra e gra, nga i gjithë kombi.

U bashkuam nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bëmë realitet ëndrrën për të cilën ra Adem Jashari dhe mijëra dëshmorë të lirisë.

Në fundin e Shekullit 20, Kosova hyri në hartën e vendeve të lira dhe aty do të qëndrojë përgjithmonë.

Ky është zotimi ynë i madh për gjeneratat e reja që do ta trashëgojnë këtë vend të bekuar nga Zoti dhe njerëzit e mirë, Atdheu ynë, Republika e Kosovës.

Zonja dhe Zotërinj,

Sot, në këtë ditë të madhe, ne përkulemi me respekt para kujtimit të të gjithë brezave që sakrifikuan për Kosovën e lirë, shtet të pavarur e sovran.

Nderimi për ta jeton në mendjet dhe zemrat tona, sot dhe përgjithmonë.

Përmes emrave të tyre, sot ne e definojnë dashurinë për Atdheun tonë, Kosovën tonë të lirë e sovrane.

Por, ky nderim është vetëm njëri dimension i kësaj dite të madhe.

Dimensioni tjetër është zotimi ynë për të vazhduar misionin e gjeneratës sonë, misionin e fuqizimit të Kosovës në çdo fushë të ekzistencës së saj si shtet dhe shoqëri.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Këtë vit, ne kremtojmë 20 vjetorin e çlirimit.

Si gjeneratë, jemi të veçantë që patëm fatin të bashkëjetojmë në kohën e kolosëve të kombit tonë, si Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Luan Haradinaj, Bekim Berisha, Xhevat Jusufi, Agim Ramadani, Avdullah Tahiri, Ahmet Kaçiku, Mujë Krasniqi, e shumë e shumë të tjerë.

Dhe, së bashku, si komb, arritëm lirinë.

Sa gjëra të mëdha kemi arritur në këto dy dekada!

Nga një vend krejtësisht i shkatërruar, me plagë të mëdha të luftës, në pak vite e rindërtuam jetën tonë si shoqëri, ndërtuam institucionet demokratike, shpallëm pavarësinë dhe formuam shtetin dhe vitin që shkoi edhe forcën tonë mbrojtëse - Ushtrinë e Kosovës.

Diçka që të tjerëve u janë dashur shumë dekada për t'i arritur, ne ia dolëm për vetëm dy dekada.

Disa gjëra kemi mundur t'i bëjmë ndryshe, kemi mundur t'i bëjmë më mirë. POR, jam i bindur se gjeneratat e së ardhmes kanë për t'u ndjerë krenare me punën tonë.

Po, ku qëndron çelësi i kësaj historie madhështore suksesi?

Janë njerëzit e këtij vendi, që në luftë dhe në paqe, nuk kursyen asgjë nga vetja për ta ngritur në këmbë Kosovën, për t'ia kthyer dinjitetin dhe për të bërë vend të shpresës për fëmijët dhe të rinjtë e saj.

Janë edhe miqtë tanë të mëdhenj, të cilët qëndruan pranë nesh në çdo sfidë gjatë këtyre viteve.

Janë shtetet demokratike, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që udhëtuan bashkë me ne, në të gjitha proceset e mëdha të kombit tonë.

Lirinë e kemi arritur me vendosmëri dhe me mençuri. Ishim të patundur në luftë me armikun dhe partnerë me ata që na u ndodhën pranë - miqtë e lirisë sonë - NATO-n, ne krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kohëve të fundit, jemi dëshmitarë se janë hapur dilema e janë shtruar pikëpyetje për të ardhmen e këtij partneriteti.

Sot, është dita t'i heqim këto dilema dhe t'i bëjmë të pakuptimta këto pikëpyetje.

Miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleanca jonë me botën perëndimore, janë vlera të shenjta të kombit tonë.

Prandaj, janë të paprekshme, të pacenueshme.

Janë të përgjithmonshme.

Si vetë liria jonë, për të cilën ranë Jasharët e Prekazit dhe mijëra dëshmorë të tjerë.

Ky është identiteti ynë civilizues, nga i cili nuk mund të heqim dorë, sepse kombet nuk mund të tjetërsohen.

Sot, në këtë ditë të madhe, në ditën e Adem Jasharit, duhet dy gjëra t'ua bëjmë të qartë qytetarëve dhe vetes, sidomos vetes tonë si politikanë, si përfaqësues të zgjedhur të popullit:

INTERESI I SHTETIT ËSHTË MBI ÇDO INTERES TJETËR.

KOSOVA NUK DO TË KTHEHET PAS.

KOSOVA VEÇ DO TË FUQIZOHET.

E kemi amanet nga dëshmorët dhe zotim për të ardhmen e fëmijëve të saj.

Lavdi jetës dhe veprës heroike të Komandantit Legjendar, Adem Jasharit.
Lavdi Familjes Jashari. Lavdi gjithë dëshmorëve të kombit.

Ju faleminderit!".

 

Kuvendi mbajti seancë të veçantë, për nder të Epopesë së UÇK-sëKuvendi mbajti seancë të veçantë, për nder të Epopesë së UÇK-sëKuvendi mbajti seancë të veçantë, për nder të Epopesë së UÇK-sëKuvendi mbajti seancë të veçantë, për nder të Epopesë së UÇK-së