Lajmet e fundit

Komisioni për Zhvillim Ekonomik...

E Mërkure, 20.03.2019




Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Sala Berisha- Shala, kryetare e komisionit, ka zhvilluar debat lidhur me shqetësimet e bizneseve për furnizimin me energji elektrike.
Lidhur me këtë çështje, në emër të komunitetit të biznesit, fillimisht foli kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi.
Ai vuri në spikamë sfidat që u janë shfaqur prodhuesëve dhe ndërmarrjeve të ndryshme që operojnë në vendin tonë, si pasojë e mos furnizimit të rregullt me energji elektrike. Sipas tij, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), e cila rol primar ka mbrojtjen dhe përmbushjen e kërkesave të konsumatorëve me energji elektrike, nuk ia ka dalë që këtë detyrim ta jetësojë edhe ndaj komunitet të biznesit. Ai vlerësoi se ZRRE- ja duhet të krijojë mundësi vetëfincimi për bizneset, duke krijuar po ashtu edhe liberalizim të mirëfilltë të tregut të energjisë elektrike.
Ngjashëm u shpreh edhe përfaqësuesi i Odës Ekonomike Amerikane (OEA), Arian Zeka, i cili tha se lidhur me këtë problematikë kanë bërë veprime të harmonizuara me OEK-un. Ai vlerësoi se për zgjidhjen e kësaj çështjeje, duhet angazhuar të gjithë deputetët dhe faktorët e tjerë relevantë, ndërkaq, përmendi shembuj se si shtetet e rajonit e kanë zgjedhur këtë çështje.
Kritik ndaj ZRRE-së u paraqitën edhe Klubi i Prodhuesëve të Kosovës, në emër të të cilit foli, Vllaznim Osmani, si dhe përfaqësuesi nga kompania "Jaha Grup".
Në vijim fjalën e mori përfaqësuesi i ZRRE-së, Arsim Janova, i cili vuri në dukje angazhimet e tyre lidhur me këtë çështje, dhe nënvizoi se të gjitha veprimet e ndërmarra nga institucioni që ai udhëheqë, janë në harmoni me ligjin dhe dispozitat e tij. Ai dha shpjegime të detajuara edhe për licencimin e kompanive për furnizim me energji elektrike, dhe me këtë rast, ai vuri në pah vështirësitë e tyre për të operuar.
Pas kësaj, Janova u është përgjigjur pyetjeve dhe interesimit të deputetëve, duke ofruar sqarime edhe për përfaqësuesit e institucioneve që kanë ngritur këtë çështje.
Deputetët ndërkaq, deklaruan se mbështesin të gjitha kërkesat dhe përkrahin po ashtu, rekomandimet që vijnë nga komuniteti i biznesit.

Komisioni për Zhvillim Ekonomik...