Lajmet e fundit

Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion… në Ministrinë e Administratës Publike

E Hënë, 11.03.2019




Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, është takuar sot me ministrin e Administratës Publike, z. Mahir Yagiclar.
Në këtë takim kanë marrë pjesë kryetarja e komisionit, znj. Albulena Haxhiu dhe zëvendëskryetari i dytë, z. Bahrim Shabani. Qëllimi i këtij takimi ishte mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.
Gjatë takimit, znj. Haxhiu theksoi se ky ligj është miratuar vitin e kaluar, ku parashihet që të caktohet zyrtari përgjegjës dhe po ashtu të nxirren rregullore të brendshme për parandalimin e konfliktit të interesit dhe njëkohësisht të bëhet fushatë sensibilizuese për këtë ligj.
Ndërkaq, ministri Yagiclar tha se ministria që ai drejton nuk është drejtpërdrejt përgjegjëse për zbatimin e këtij ligjit, por më shumë kur kërkohet opinion për shërbyesit civil nëse kanë konflikt interesi. Gjithashtu ai tha se në bazë ligjit janë caktuar personat përgjegjës për mbikëqyrje të këtij ligji në kuadër të Ministrisë për Administratë Publike, ku deri tani nuk është paraqitur ndonjë rast për konflikt të interesit.
Ndër tjera u theksua se ky ligj paraqet vështirësi në zbatim, pasi ende nuk është hartuar një rregullore e brendshme për parandalimin e konfliktit të interest, ashtu siç e parashihet, në mënyrë që ligji të zbatohet në praktikë dhe jo vetëm të miratohet.
Në takim u diskutua edhe për sfidat në zbatim të ligjit në përgjithësi dhe nevojën për adresimin e problemeve që aktualisht kanë, ku shqetësim ishte decentralizimi, mungesa e fushatës sensibilizuese se cilat janë rastet për konflikt të interesit, në mënyrë që të ketë parandalim të konfliktit të interesit.
Po ashtu u tha se pengesë është se me Ligjin e ri për Paga, sistemi i menaxhimeve të burimeve njerëzore është funksional, por ende nuk është harmonizuar me listën e pagave me të cilin mund të kuptohej se mund të ketë ndonjë konflikt interesi.

Nga vizita e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion… në Ministrinë e Administratës Publike