Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike...

E Mërkure, 19.12.2018




Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, të kryesuar nga Nait Hasani, kryetar, në të cilën ishte i pranishëm edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, për të raportuar lidhur me çështjen e dixhitalizimit të transmetuesve radiodifuzivë tokësorë.

Në fillim të takimit, kryetari Hasani kërkoi sqarime nga ministri Lluka lidhur me Projektligjin për dixhitalizimin e transmetuesve radiodifuzivë tokësorë.

Hasani bëri të ditur se ky projektligj është miratuar në Kuvend në vitin 2015 dhe sipas tij, që nga atëherë nuk ka gjetur zbatueshmëri. Po ashtu, ai theksoi se Kosova është e fundit në rajon që po merr pjesë me çështjen e digjitalizimit. Po ashtu, ai shtoi se nuk është ndarë as buxhet për këtë projektligj.

Ministri Lluka, para komisionit foli për ngecjen e procesit lidhur me projektligjin. Ai tha se implementues i këtij projektligji është Këshilli i Pavarur për Media (KPM), i cili po ashtu, sipas tij, është edhe fajtor për ngecjen e procesit. Mos dorëheqja e KPM-së nga ky proces, pohoi ministri, ka bërë që MZHE-ja të mos ketë mundësi ta funksionalizojë atë.

"Sipas nenit 47 për Komisionin e Pavarur të Mediave, parashihet që kjo çështje të rregullohet me ligj të veçantë. MZHE-ja ka kryesuar grupin punues në të cilën kanë marrë pjesë edhe grupet e interesit, duke e vazhduar gjithë procesin konform rregullores së punës së Qeverisë", tha Lluka.

Ndërkaq, ai vlerësoi se gjatë shqyrtimit të projektligjit në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, me lobimin e palëve të interesit, kryesisht të KPM-së, është arritur amendamentimi i disa neneve kritike, të cilat, siç tha ai, e kanë dëmtuar modelin e funksionimit të procesit të planifikuar nga ministria.

E tërë kjo, sipas tij, ka të bëjë me ndryshimin e mbikëqyrjes dhe relacionet e këtij komisioni me komisionin vlerësues. Përkitazi më këtë, ai bëri të ditur se hartimi i disa amendamenteteve e kanë shkarkuar ministrin nga përgjegjësitë, duke e bërë përgjegjës kryesor vetëm KPM-në.

Anëtarët e komisionit, u shprehen të pakënaqur me mos zbatueshmërinë e këtij ligji, duke kërkuar përgjegjësi nga qeveria për mos ndarjen e buxhetit për dixhitalizim, pastaj u fol për neglizhencën në mos miratimin e strategjisë, mundësitë e Qeverisë për ndarjen e buxhetit për dixhitalizim, mundësitë e plotësim-ndryshimi i këtij ligji etj.

Ministri Lluka, u përgjigj në pyetjet e deputetëve, duke dhënë sqarimet e nevojshme lidhur më çështjet e ngritura nga ana e tyre.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike...