Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet

E Mërkure, 19.12.2018




Komisioni për Buxhet dhe Financa, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Lumir Abdixhiku, kryetar, (një pjesë e mbledhjes është kryesuar nga nënkryetarja e komisionit, Safete Hadërgjonaj), shqyrtoi një mori projektligjesh me amendamente të komisioneve përkatëse.

Fillimisht është shqyrtuar në parim Projektligji nr.06/L-137 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-174 për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-058 dhe Ligjin nr.04/L-122, si dhe Ligjin nr.03/L-073 për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.03/L-256.

Këtë projektligj, para komisionit e paraqiti dhe arsyetoi Besnik Tahiri, koordinator nacional për Reforma Shtetërore. Me këtë rast, Tahiri nënvizoi se me këtë projektligj është përpjekur që të përfshihet e tërë gama e çështjeve që kanë të bëjnë me financimin e subjekteve politike. Ai, po ashtu bëri të ditur se gjatë hartimit të këtij projektligji janë konsultuar të gjithë faktorët relevant, përfshirë këtu edhe Komisionin e Venedikut.

Komisioni pas diskutimeve lidhur me projektligjin, e përkrahu në parim dhe vendosi ta procedojë tutje.

Në vijim të mbledhjes, janë shqyrtuar dhe përkrahur po ashtu edhe këto projektligje: Projektligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe amendamenteve të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për bibliotekat dhe amendamenteve të Komisionit funksional për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për kinematografinë dhe amendamenteve të Komisionit funksional për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta dhe amendamenteve të Komisionit funksional për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për rregullimin e shërbimeve të ujit dhe amendamenteve të Komisionit funksional për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor.

Me propozim të kryetarit të Komisionit, Abdixhiku, janë futur në rend të ditës për tu shqyrtuar edhe: Raporti me rekomandime lidhur me Projektligjin për tatimin në të ardhurat e korporatave dhe procedimi i Projektligjit me amendamente të propozuara për shqyrtimin e dytë në Kuvend, shqyrtimi i Raportit me rekomandime lidhur me Projektligjin për tatimin në të ardhurat personale dhe procedimi i Projektligjit me amendamentet e propozuara për shqyrtimin e dytë, si dhe shqyrtimi i Projektligjit për plotësimin - ndryshim të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës dhe amendamenteve të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër korrupsionit.

Pas shqyrtimit të tyre, komisioni vendosi t'i miratojë ato dhe t'i procedojë tutje.

Në këtë mbledhje, është shqyrtuar dhe përkrahur po ashtu edhe Kërkesa e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (TRUST), për miratimin e taksave vjetore për vitin 2019, si dhe Raporti vjetor financiar i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës për vitin 2017.

Mbledhja e Komisionit për Buxhet