Lajmet e fundit

Deklaratë e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim

E Mërkure, 12.12.2018




Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, më datë 12 dhjetor mbajti mbledhjen e radhës ku mes tjerash u diskutua për ndalimin e jashtëligjshëm të deputetit dhe anëtarit të Komisionit, Slobodan Petroviç, nga ana e xhandarmërisë serbe në kufirin Kosovë-Serbi, përkatësisht në pikën kufitare në Mendarë.
Më datën 8 dhjetor, gjatë kalimit të kufirit Kosovë-Serbi, deputeti i Partisë Liberale Serbe, Slobodan Petroviç, është ndaluar nga policia serbe ku është mbajtur për disa orë duke u marrë në pyetje nga pjesëtarë të shërbimit informativ serb (më tej BIA). Për orë të tëra deputeti Slobodan Petroviç i është nënshtruar presionit direkt të Serbisë për punën e tij, në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Andaj, Komisioni Parlamentar për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, nxori këtë:

D E K L A R A T Ë

1. Dënojmë ashpër ndalimin e paligjshëm të deputetit dhe anëtarit të Komisionit Parlamentar për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve nga policia serbe. Konsiderojmë se ky ndalim bëhet me qëllim të ushtrimit të presionit dhe kërcënimit ndaj punës së deputetit, Slobodan Petroviç.
2. Kërkojmë nga institucionet e Kosovës që të ndërmarrin hapat e nevojshëm që situata të këtilla presioni ndaj deputetëve të mos ndodhin.
3. Kërkojmë nga Zyra për politikë të jashtme e BE-së, përkatësisht nga përfaqësuesja Federica Mogherini që të ushtrojë presion tek Qeveria Serbe për sqarimet e nevojshme mbi arsyen dhe rrethanat e këtij rasti si dhe presionin në mënyrë që të parandalohen rastet e tilla në të ardhmen.
4. Kërkojmë nga institucionet e sigurisë së shtetit të Kosovës që me seriozitet ta trajtojnë këtë rast dhe të ofrojnë siguri për deputetin Slobodan Petroviç dhe familjen e tij.

Datë: 12.12.2018
Deklarata i dërgohet:
- Kryesisë së Kuvendit,
- Zyrës së Kryeministrit,
- Zyrës së BE-së,
- Policisë së Kosovës.

Nënkryetari i Komisionit:
Xhelal Sveçla

 

Deklaratë e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim